Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në konferencën me temë “30-vjetori i marrëdhënieve Shqipëri-SHBA”, të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare.

Ministrja Xhaçka theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA nuk i përkasin thjesht diplomacisë apo raporteve mes qeverive e shteteve, por janë një lidhje e fortë dhe e shumanshme mes dy popujve.

Sipas saj, marrëdhënia me SHBA ka qenë përcaktuese për historinë e Shqipërisë, duke filluar që nga roli i saj në shmangien e copëtimit të Shqipërisë një shekull më parë, deri tek rrëzimi i komunizmit dhe vendosja e paqes e stabilitetit në rajonin tonë.

“Sot, SHBA janë sërish shumë të angazhuara për të mbështetur Shqipërinë në çdo fushë, që nga mbrojtja, e deri tek fusha ekonomike, ku sot priten investime shumë serioze strategjike amerikane në fushën e energjisë, por sidomos tek reforma në drejtësi, ku sot Ambasadorja Kim po vazhdon me ngulm misionin e të gjithë paraardhësve të saj për ta mbështetur Shqipërinë të ndërtojë këtu, një vend evropian, demokratik, që funksionon mbi sundimin e ligjit”, deklaroi kryediplomatja Xhaçka.