Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Kryesia kroate e nismës rajonale të Kartës së Adriatikut (A-5), organizoi sot Konferencën virtuale të Nivelit të Lartë me temë:, “Kontributi i grave për paqen dhe sigurinë, mësimet e nxjerra dhe sfidat që na presin”, me pjesmarrjen e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të A-5. Në këtë aktivitet, vendi ynë u përfaqësua nga Zv. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Agron Tare.

Në kuadër të takimit u theksua se kryesia kroate e A-5 ka zgjedhur këtë tematikë, pasi beson se është momenti i duhur për të shkëmbyer eksperienca dhe mendime mbi suksesin dhe sfidat në zbatimin e agjendës mbi gratë, paqen dhe sigurinë, ndërsa u theksua se vendet e Kartës së Adriatikut janë të angazhuara rreth kësaj agjende, në vijimësi të punës së bërë vitet e fundit në nivel global për këtë tematikë.

Në Konferencë u pasqyrua fakti se, Rezoluta 1325 (UNSCR 1325) mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë, përbën një kornizë normative në mbështetje të pjesëmarrjes kuptimplote dhe lidershipit të grave, në të gjitha çështjet që lidhen me paqen dhe sigurinë.

Në ndërhyrjen e tij, Zv. Ministri Agron Tare, nënvizoi mes të tjerash se, Shqipëria ka mbështetur që në fillimet e saj këtë Rezolutë, duke u renditur mes shumë vendeve të tjera që kanë hartuar e zbatuar Plane Kombëtare Veprimi për ta përshpejtuar vënien në zbatim të Rezolutës 1325 të KS së OKB-së.

Në këtë kuadër, qeveria shqiptare në vitin 2016 miratoi Strategjinë e Tretë Kombëtare mbi Barazinë Gjinore (2016-2020) ndërsa në shtator 2018, Planin Kombëtar të Veprimit 2018-2020 për zbatimin e saj. Gjatë viteve të fundit, sipas zv. Ministrit Tare, Shqipëria ka rritur ndjeshëm përfaqësimin e grave në çdo sferë të jetës, si në parlament, administratë publike, ushtri, polici etj, në përputhje të plotë me detyrimet që rrjedhin nga agjenda e OKB-së për këtë çështje.

Më tej, zv. Ministri Tare theksoi faktin që kjo tematikë ka pasur një dimension të veçantë edhe gjatë kryesisë shqiptare të OSBE-së përgjatë vitit 2020, duke mbështetur iniciativën e OSBE-së për luftën e dhunës ndaj grave dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre.

Po ashtu, edhe në kuadër të kandidaturës së Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vitet 2022-2023, Shqipëria planifikon të mbështesë pjesëmarrjen me të drejta të barabarta të grave në të gjitha përpjekjet ndërkombëtare për paqe dhe siguri.