Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka publikuar në rrjetet sociale një video rreth shërbimit konsullor në përfaqësitë diplomatike shqiptare nëpër botë.

Ministrja Xhaçka theksoi se vetëm brenda këtij viti, shërbimi për pajisjen me karta identiteti e pasaporta biometrike të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit ofrohet edhe në 6 përfaqësi të tjera diplomatike, duke e çuar në 14 numrin në total.

Sipas saj, shërbimi konsullor ndaj shqiptarëve mbetet prioritet absolut i punës në MEPJ, ndërsa deklaroi se po punohet që ky shërbim të ofrohet edhe në vendet më të largëta, ku jetojnë e punojnë shtetasit shqiptarë.

Deri më tani, janë regjistruar mbi 65 mijë aplikime të kryera përmes portalit e-Albania, ndërkohë që 481 shtetas të kategorive të veçanta janë asistuar nga punonjësit e zyrave konsullore.

Shërbimi për pajisjen me karta identiteti e pasaporta biometrike ofrohet aktualisht në Ambasadat shqiptare në Athinë, Romë, Londër, Bruksel, Vjenë, Stokholm, Paris, Berlin, si dhe në Konsullatat në Selanik, Milano, Mynih, Nju Jork, Bari dhe Stamboll.