Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Në kuadër të fushatës për korrigjimin e emërtimeve gjeografike të relievit shqiptar të cilat bien ndesh me hartën e Republikës së Shqipërisë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka publikuar një video ku na njeh me të gjitha arritjet e deritanishme.

Sipas MEPJ, brenda vitit 2020 janë korrigjuar 41 pasaktësi të publikuara në platformat “Google Maps” dhe “Google Earth”, lidhur me emërtesat gjeografike të relievit shqiptar.

Gjithashtu, falë impenjimit të Ministrive të Jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës, u arrit që në shërbimin e Apple Maps të paraqiteshin saktë kufijtë e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë së fundmi, në maj të këtij viti u korrigjua edhe emërtimi i lumit Vjosa në platformën ‘Microsoft Bing’, i cili në rrjedhën e tij brenda territorit shqiptar në këtë platformë njihej nën emërtimin Aoos.

Fushata e ndërmarrë nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme synon rregullimin e çdo pasaktësie të kësaj natyre, duke i shërbyer aksesit sa më të plotë dhe të saktë të emërtesave gjeografike nga qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, si dhe të huajt që vizitojnë vendin tonë.