Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Më 23 qershor 2021 u mblodhën në një takim në formatin virtual Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Nismës së Evropës Qendrore (CEI). Në Ministerial mori pjesë Sekretari i Përgjithshëm z. Armand Skapi. Ndër çështjet më të diskutuara ishin bashkëpunimi i vendeve anëtare me CEI-n dhe procesi i integrimit evropian.

Pjesëmarrësit shkëmbyen pikëpamjet mbi mundësitë për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian dhe rritjen e bashkëpunimit me vendet e Partneritetit Lindor si në nivelin politik, ashtu edhe në atë praktik, duke marrë parasysh kapacitetet dhe instrumentet e CEI.

Takimi ishte një vazhdimësi e përpjekjeve të vendeve anëtare të CEI-t për të mposhtur krizën post-COVID me anë të nxitjes së bashkëpunimit ndër-shtetëror. Në këtë kuadër, u bë bilanci i veprimeve dhe masave të ndërmarra rreth zhvillimit të rajonit në periudhën pas-krizës me fokus në mundësitë e rikuperimit socio-ekonomike dhe shëndetësore.

Z. Skapi vlerësoi vazhdimin e Presidencës Malazeze të CEI për vitin 2021 dhe në këtë drejtim vlerësoi arritjet e saj në fushën e kujdesit shëndetësor, rinisë, arsimit dhe bashkëpunimit ekonomik, si dhe zbatimin e objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit.

Më tej, ai u shpreh se Shqipëria e konsideron CEI një mekanizëm të rëndësishëm rajonal që ndihmon në zhvillimin e dialogut politik midis vendeve anëtare dhe përshpejtimin e integrimit evropian. Shqipëria është plotësisht e angazhuar në bashkëpunimin me vendet anëtare të CEI-t për përballimin e pasojave ekonomike-sociale të shkaktuara nga pandemia.

Në përfundim, z. Skapi nënvizoi se Shqipëria beson plotësisht në mbështetjen e vendeve të BE-së që janë anëtare të CEI-t në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.