Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka mbajtur një fjalë në nder të 76-vjetorit të themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ministrja Xhaçka vlerësoi format e angazhimit multilateral të OKB-së, teksa theksoi se Shqipëria e rajoni i Ballkanit Perëndimor janë prova më e qartë e vlerës së madhe që ka bashkëpunimi multilateral.

Sipas saj, marrja e mandatit nga Shqipëria në Këshillin e Sigurimit është një arritje e madhe, që ofron mundësi të shkëlqyera për vendin tonë në sferën globale.

“Është padyshim një arritje e madhe për Shqipërinë, një arritje prestigjioze që tregon se çfarë pjekurie ka arritur diplomacia shqiptare dhe që njeh rolin konstruktiv të vendit tonë përsa i përket çështjeve të sigurisë, stabilitetit e zhvillimit. Por mbi të gjitha është një mundësi. Një mundësi për një vend të vogël që zakonisht e ka të vështirë të ndikojë apo të bëjë të dëgjohet zëri i tij në arenën globale, që të shtrojë para botës disa ide, disa zgjidhje për problemet që na shqetësojnë të gjithë. Ide e zgjidhje që burojnë nga eksperienca jonë, në çështje si Gratë Paqja e Siguria, Lufta kundër Radikalizmit të Dhunshëm, apo nevoja për të respektuar të drejtat e njeriut, ku Shqipëria padyshim ka shumë për të thënë, apo edhe për çështje si ajo e klimës ku ndoshta s’kemi ende një rekord të qartë arritjesh, por jemi të vetëdijshëm për nevojën për të bërë diçka e për këtë arsye kemi vendosur të bashkojmë forcat me vende të tjera që ndajnë të njëjtin shqetësim për të marrë stafetën për këtë çështje prej tyre e për t’ia kaluar atë në fund të mandatit tonë një tjetër vendi partner”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Më poshtë deklarata e plotë e Ministres:

I Nderuar Z. Zv. Kryeministër,
E nderuar Znj.McCluney,
Të nderuar Titullarë dhe Përfaqësues të Trupit Diplomatik,
Zonja dhe Zotërinj,

Më lejoni që t’ju përshëndes të gjithëve dhe t’ju uroj të gjithëve për 76 vjetorin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo është padyshim një ditë e rëndësishme për çdokënd që punon për këtë organizatë por është edhe një ditë e rëndësishme për të gjithë stafin e zyrës lokale të OKB, miqtë e partnerët tanë në shumë projekte e nisma të përbashkëta të cilët përfitoj nga rasti t’i falënderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur në vijimësi.

Por kjo është padyshim një ditë po aq e rëndësishme për të gjithë ne. Sidomos për vende si Shqipëria të cilat shohin tek kjo organizatë dhe në përgjithësi tek format e angazhimit multilateral shpresën më të mirë për një botë paqësore, për një rend të bazuar tek ligjet dhe rregullat ndërkombëtare.

Unë besoj që pikërisht Shqipëria e rajoni ynë janë prova më e qartë e vlerës së madhe që ka bashkëpunimi multilateral. I asaj që mund të arrihet nëse punohet së bashku.

E pikërisht në këtë drejtim, pra në drejtim të promovimit të bashkëpunimit, të luajtjes së një roli të rëndësishëm rajonal si një faktor paqeje e stabiliteti, si një eksportuese sigurie, si një aktore serioze që përpiqet të punojë fort për të nxitur dhe për të konsoliduar urat e bashkëpunimit, Shqipëria ka arritur tashmë të krijojë një rekord serioz dhe bindës.

Është një politikë e jashtme dhe një rol rajonal, që bazohet në një lexim të drejtë dhe praktik të asaj që është filozofia mbi të cilën janë themeluar Kombet e Bashkuara, një lexim i drejtë dhe praktik i Kartës themeluese të OKB-së, pasi vetëm në qoftë se çdo vend do të bëjë atë që mundet dhe që ka në dorë për të ruajtur paqen e sigurinë, për të zgjidhur problemet e konfliket, për të vënë të parat si prioritete të tij në arenën ndërkombëtare promovimin e barazisë dhe lirive themelore të njeriut dhe zhvillimin ekonomik, social, e kulturor, mund të përmbushet ai që është misioni themelor i OKB. Është kjo arsyeja përse kjo organizatë pjesë e të cilës jemi të gjithë ne, u krijua 76 vjet më parë mbi gërmadhat e gjakderdhjen e pafund të Luftës së Dytë Botërore.

Ne këtë kuadër, ne kemi përshëndetur nismën e OKB-së për një përqajse të re ndaj rajonit tonë me Fondin për Ballkanin Perëndimor, i cili ka në qendër të veprimtarisë së vet nxitjen e dialogut, forcimin e besimit dhe realizimin e pajtimit. Shqipëria ka qenë ndër vendet e para në rajon, që e ka mbështetur këtë nismë. Ashtu siç ka përqafuar nga ana tjetër me po aq seriozitet e përkushtim edhe programin e OKB-së për Mijëvjeçarin dhe është fuqimisht e angazhuar në zbatim te Agjendës 2030 për realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Të gjitha këto marrin në këtë vit padyshim një domethënie të posaçme. Së pari, në një dimension global, sepse pandemia COVID 19, armiku i padukshëm që ka tronditur njerëzimin e që e ka detyruar botën të harrojë normalitetin, na kujton se bota përballet gjithmonë e më shumë me sfida të cilat janë shumë të mëdha dhe komplekse dhe nuk njohin as kufij e as marrëdhënie diplomatike, që luftohen vetëm nëse punojmë së bashku, nëse koordinojmë përpjekjet tona në organizata si OKB.

Dhe pandemia ishte vetëm një, e ndoshta më dramatikja dhe e dukshmja, por vetëm një nga sfidat që ka sot bota ku jetojmë, që na prekin të gjithë, e që askush nuk mund t’i luftojë i vetëm. Sepse po aq urgjente është siç e përmenden edhe parafolsit është përballja me ndryshimet klimatike, që janë një gjëmë që i kërcënohet botës me një shpejtësi e dramacitet ndoshta më të ulët se pandemia, por që nga viti në vit bëhen më të prekshme e më shqetësuese. Apo nevoja për të rigjetur dialogun e bashkëpunimin përsa i përket nevojës për të luftuar ekstremizmin, për të respektuar të drejtat e njeriut, e vecanërisht për të ruajtur paqen, sigurinë e stabilitetin në një botë, që sot duket më e pasigurt dhe e paparashikueshme se kurrë.

Asyeja e dytë përse ky është një vit i veçantë është tërësisht shqiptare, pasi këtë vit Shqipëria me një mbështetje masive fitoi për herë të parë që nga dita e anëtarësimit të saj në OKB, të drejtën për një mandat në Këshillin e Sigurimit.

Është padyshim një arritje e jashtëzakonshme për Shqipërinë, një arritje prestigjioze që tregon se çfarë pjekurie ka arritur diplomacia shqiptare dhe që njeh rolin konstruktiv të vendit tonë përsa i përket çështjeve të sigurisë, stabilitetit e zhvillimit.

Por mbi të gjitha është një mundësi. Një mundësi për një vend të vogël që zakonisht e ka të vështirë të ndikojë apo të bëjë të dëgjohet zëri i tij në arenën globale, që të shtrojë para botës disa ide, disa zgjidhje për problemet që na shqetësojnë të gjithë. Ide e zgjidhje që burojnë në fakt nga eksperienca jonë, në çështje si Gratë Paqja e Siguria, Lufta kundër Radikalizmit të Dhunshëm, apo nevoja për të respektuar të drejtat e njeriut, ku Shqipëria padyshim ka shumë për të thënë, apo edhe për çështje si ajo e klimës ku ndoshta s’kemi ende një rekord të qartë arritjesh, por jemi të vetëdijshëm për nevojën për të bërë diçka e për këtë arsye kemi vendosur të bashkojmë forcat me vende të tjera që ndajnë të njëjtin shqetësim për të marrë stafetën për këtë çështje prej tyre e për t’ia kaluar atë në fund të mandatit tonë një tjetër vendi partner.

Kjo është dita kur kremtojmë 76 vjetorin e OKB, por sot kemi edhe një arsye tjetër për të përshëndetur OKB e praninë e saj në Shqipëri pasi në bashkëpunim me këtë zyrë institucionet tona kanë përpiluar Programin e Ri të Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm për periudhën 2022-2026, i cili do ti shërbejë vendit në kuadër te forcimit dhe sundimit të ligjit, promovimit të drejtave të njeriut, mbrojtjen e mjedisit dhe mbështetjen e reformave ekonomike dhe shoqërore, duke kontribuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë në zbatimin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe Agjendës 2030.

Unë jam besimplotë që Programi i ri i Bashkëpunimit do të orientojë edhe më mirë ndërtimin e partneriteteve strategjike me mekanizmat e OKB-së, për të përballuar me sukses sfidat kryesore kombëtare, si edhe për të eksploruar mekanizma të rinj dhe të larmishëm financimi në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe përfshirjen sociale; në rritjen ekonomike të qëndrueshme dhe të gjelbërt si dhe në qeverisjen efektive që ka në qendër njeriun, sundimin e ligjit dhe barazinë gjinore.