Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të nderuar pjesëmarrës, është kënaqësi e veçantë që ndodhem sot këtu. Në radhë të parë dua të falenderoj organizatorët për këtë organizim kaq të mirë të kësaj konference mbi një temë që në fakt edhe unë e kam shumë përzemër pavarësisht rolit, funksionit apo detyrës që kryej sot.

Dhe së dyti për ftesën për të folur ekzaktësisht për këtë temë, për Gruan, Paqen dhe Sigurinë në një vit shumë të veçantë do thosha për Shqipërinë që kjo çështje merr një peshë edhe një domethënie krejt të veçantë.

Më lejoni ta nis fjalën time me një pyetje.

Nëse do t’ju kishin pyetur jo më larg se ndoshta 5 vjet më parë, a do t’ju ishte dukur e besueshme që Shqipëria një ditë do të ulej në tryezën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së duke pasur si prioritet kryesor të agjendës së saj të prioriteteve për mandatin dy vjeçar në atë forum, pikërisht çështjen e Grave, Paqes e Sigurisë?

Unë jam e sigurt që do ta kishit pasur të vështirë ta besonit një gjë të tillë 5 vjet më parë ose do ta kishit pasur të vështirë ta kuptonit përse një vend si Shqipëria zgjidhte të kishte në krye të agjendës të prioriteteve të saj pikërisht këtë çështje.

Por në fakt në vitin 2021, një zgjedhje e tillë ishte unë mendoj që është gati, gati e pritshme. Në të gjithë diskutimet që kemi bërë që kur unë mora drejtimin e MEPJ, por në fakt në gjithë diskutimet që ishin bërë edhe më parë, lidhur me agjendën e prioriteteve të Shqipërisë, një nga pikat që ngrihej gjithmonë ishte pikërisht kjo: Shqipëria duhet ta ketë agjendën e Grave, Paqes dhe Sigurisë pjesë të dosjes së saj.

Në gjykimin tim, mjafton ky fakt, edhe pse në fakt ka shumë e shumë të tjerë, për të kuptuar sesa peshë ka sot në Shqipëri diskutimi për çështjet e grave. Dhe për të kuptuar po ashtu sesa shumë punë është bërë në këtë drejtim, gjatë 8 viteve të fundit.

Shqipëria ka sot një qeveri me 12 ministre, numri më i madh i ndonjë qeverie kudo në botë krahasuar me 8 vjet më parë, kur kishte vetëm një zonjë në drejtim të një ministrie!

Dhe sikur kjo është ishte shifra e vetme, sigurisht që nuk do të mjaftonte.

Sikur kjo të ishte shifra e vetme, ndoshta edhe unë vetë ndoshta do t’i kisha marrë më seriozisht cinikët që kanë thënë në vijimësi që përfshirja e kaq shumë grave në qeveri është thjesht për show.

Por ndërkohë nuk është kështu, sot kemi thuajse 30% të përfaqësimit në parlament gra!

Kemi këshillat bashkiakë ku me ligj të paktën 50% e këshilltarëve duhet të jenë gra.

Kemi më shumë se 60% të pozicioneve të larta drejtuese në administratën publike, pra drejtore e drejtorë të përgjithshëm, të cilët janë gra.

Edhe më i rëndësishëm akoma, është fakti që përfaqësimi i grave ka ardhur duke u rritur ndjeshëm edhe në ato fusha që deri dje konsideroheshin si domein i burrave. Ato fusha do të thosha unë që konsiderohen pak më maço siç janë policia apo ushtria.

Sigurisht, që progresi në këto dy fusha ka qenë më i avashtë, por progres ka pasur nga viti në vit në mënyrë konsistente. Kur u largova nga drejtimi i Ministrisë së Mbrojtjes, lajmi i mirë që më bëri të jem optimiste se çfarë procesi të rëndësishëm ia kemi dalë të vëmë në lëvizje ishte se plot 33% e kandidateve fituese për kursin për oficerë të Forcave të Armatosura, ishin vajza!

Nuk dua të sugjeroj për asnjë moment që kjo është një betejë e fituar. Apo që ky është një proces që ka fituar një momentum të atillë që është tani më i pandalshëm.

Dhe këtë nuk e them thjesht sepse jam aq realiste sa ta di që problemet me të cilat përballen ende gratë vajzat, duke filluar nga dhuna që për fat të keq është një problem që ende është e pranishme në shumë nivele të shoqërisë tonë, e deri tek mohimi i mundësive për karrierë e shkollim e për të realizuar ëndrrat e tyre, nuk u zhdukën e nuk do të zhduken në kaq pak kohë.

Por ama e them si një nënë e dy vajzave të vogla, të cilat dua që të kenë në jetë çdo mundësi e çdo shans që do të meritojnë me forcat e tyre pa ju dashur të përplasen me dyer të mbyllura apo refuzime apo diskriminim më keq akoma për faktin e thjeshtë që janë vajza.

Unë jam shumë e vetëdijshme që kjo është një betejë që ende vazhdon, por jam po ashtu e vetëdijshme që tashmë ai tavani i famshëm i qelqit ka filluar të thyhet. Dhe sikur dhe vetëm imazhi i grave në pozicione drejtuese e pozicione pushteti, jep një kontribut të madh për të frymëzuar vajza e gra të tjera të arrijnë majat!

Unë besoj që një nga arsyet kryesore që shpjegojnë përse tranzicioni shqiptar ka qenë aq i mundimshëm, është edhe se nuk u punua që në fillim ashtu siç duhej dhe aq sa duhej për të drejtat e grave. Për t’ju dhënë grave vendin dhe zërin e tyre në vendimmarrje dhe në gjithë procesin e ndërtimit të një shteti demokratik, modern e evropian.

Së pari, sepse duke shtyrë gratë mënjanë, e duke ecur me idenë që të drejtat e grave nuk ishin një prioritet, krahasuar me dramat e mëdha që po përjetonte Shqipëria në ato vite, si papunësia, varfëria, kriminaliteti, institucionet e dobëta, në fakt duke u mos fokusuar te gratë, por duke u fokusuar vetëm tek këto probleme të tjera që me të vërtetë ishin shumë të mëdha por jo aq sa për të përjashtuar apo për të çuar agjendën e grave në një pozicion të ulët, këtij vendi ju mohua kontributi i së paku gjysmës së popullsisë së tij, i energjisë së tij dhe i talentit të tij.

Por edhe më e rëndësishme se thjesht kjo llogari mekanike, është fakti i provuar e sprovuar tashmë nga eksperienca e studime, që një shoqëri që nuk ju jep grave vendin që ju takon, një shoqëri që i shtyn mënjanë apo më keq i shtyp gratë, nuk mund të jetë kurrë një shoqëri e shëndetshme, një shoqëri që zhvillohet, një shoqëri që ju garanton qytetarëve të saj mirëqenie e zhvillim dhe një jetë cilësore.

Padyshim, për ne shqiptarët ka dhe një arsye tjetër përse e kemi agjendën e grave paqes dhe sigurisë në Këshillin e Sigurimit për dy vitet e ardhshme. Kjo ka shumë të bëjë me të kaluarën tonë të dhimbshme e tragjike, që lidhet me krimet e luftës e krimet ndaj grave në luftën e Kosovës. Krime, viktimat e të cilave i vuajnë ende sot pasojat, shoqëri që ende vuajnë dhimbjen e traumën, dhe një konflikt ku dialogu mbetet ende i vështirë edhe për shkak të këtyre traumave.

Janë të gjithë këto arsye që frymëzuan e motivuan vendimmarrjen tonë për të shkuar në Këshillin e Sigurimit me një prioritet të tillë në krye të agjendës. Sepse eksperienca jonë si shoqëri, si komb, na ka mësuar sesa e rëndësishme është kjo kauzë, çfarë impakti e pasojash mund të ketë ajo, por edhe sesi aty ku ka vullnet, ku ka dëshirë, mund të shënohet progres i madh në një kohë të shkurtër, ashtu siç po ndodh në Shqipëri ku gratë e vajzat pak e nga pak po rrëzojnë çdo lloj tabuje e çdo lloj dere të mbyllur.

Dhe unë besoj po ashtu, që vetë pasja e një prioriteti të tillë, puna që do të na duhet të bëjmë, aleancat, bashkëpunimet e sinergjitë që do të krijojmë, vëmendja që do të bjerë mbi ne, por edhe vëmendja që do të kenë shqiptarët për punën e vendit të tyre në Këshillin e Sigurimit, do të jenë të gjitha arsye më shumë për të avancuar akoma më shumë në konsolidimin e të drejtave të grave dhe të vendit të tyre të natyrshëm, të merituar në vendimmarrje, të merituar në qeverisje, në çdo fushë e çdo disiplinë të jetës së një vendi.