Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Në fjalën e saj pas mbledhjes së qeverisë, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, deklaroi se është miratuar marrëveshja për programin e mbështetjes ndërkufitare mes Shqipërisë, Kosovës dhe Komisionit Evropian i cili përcakton alokimin e fondeve për vitin 2020.

Ministrja Xhaçka theksoi se fondi i përcaktuar për këtë marrëveshje synon që t’i vijë në ndihmë zhvillimit social dhe ekonomik të zonave ndërkufitare me Kosovën.

“Është një marrëveshje financiare që kap vlerën e 1 milion eurove, grant i Bashkimit Evropian nëpërmjet instrumentit IPA2 dhe sigurisht me bashkëfinancimin e dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Kosovës, kap vlerën 1.2 milion euro. Bëhet fjalë për të gjitha bashkitë e qarqeve Lezhë edhe Kukës, të cilat nëpërmjet projekteve dhe ndërhyrjeve të përbashkëta do të përfitojnë me programe dhe projekte në fushën e mjedisit, turizmit, trashëgimisë kulturore, të rinisë edhe arsimit duke nxitur bashkëpunimin mes dy vendeve tona dhe duke sjellë përfitime konkrete për të gjitha këto bashki dhe komunitetet që jetojnë në to”, u shpreh Ministrja Xhaçka.

Sipas saj, puna e MEPJ do të fokusohet në mbështetjen e të gjithë përfituesve shqiptar duke i mbështetur ata, duke i asistuar në hartimin dhe zbatimin sa më të suksesshëm të këtyre projekteve.