Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti sot në takim Ministrin Federal për Evropën dhe Çështjet Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Michael Linhart, i cili po zhvillon një vizitë dy ditore në Shqipëri.

Ministrja Xhaçka vlerësoi Austrinë për angazhimin e saj të vazhdueshëm dhe mbështetjen pa rezerva të procesit të integrimit dhe reformave të rëndësishme, duke e cilësuar Austrinë si një prej zërave më të fuqishëm në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në BE.

“Shqipëria ka bërë përpjekje të qenësishme për implementimin e një varg reformash të rëndësishme, përpjekje të cilat janë njohur si nga Komisioni Evropian ashtu edhe nga vendet anëtare. Austria është një nga ato vende me të cilat bashkëndajmë të njëjtin mendim sa i takon domosdoshmërisë për të përforcuar angazhimin e BE-së dhe bashkëpunimin politik me Ballkanin Perëndimor. Në këto kohë sfiduese, kur fantazmat e së kaluarës kanë nisur të rishfaqen, duhet të ngrihemi në lartësinë e të kuptuarit të implikimeve që burojnë nga zhvillimet në rajon dhe të mendojmë se rigjallërimi i perspektivës së integrimit evropian të vendeve të rajonit do të jetë një instrument efikas për të inkurajuar vazhdimin e reformave dhe forcimin e stabilitetit”, u shpreh ministrja në konferencën e përbashkët për mediat të mbajtur pas takimit.

Nga ana tjetër, Ministri Linhart rikonfirmoi angazhimin dhe mbështetjen e Austrisë për miratimin sa më të shpejtë të Kuadrit Negociues dhe zhvillimin e Konferencës së parë Ndërqeveritare me Shqipërinë brenda presidencës sllovene të BE.

Të dy Ministrat konstatuan se ka sinjale pozitive nga Bullgaria sa i përket ngërçit me Maqedoninë e Veriut, që po mban pezull procesin e integrimit për të dyja vendet.

Kjo vizitë vjen në kuadër të turit rajonal që Ministri Linhart po zhvillon në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pas marrjes së detyrës si Ministër Federal për Evropën dhe Çështjet Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë.