Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Këshilli i Ministrave miratoi sot Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2022 – 2024 (PKIE 2022 – 2024). Pas mbledhjes së qeverisë, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në një deklaratë për mediat theksoi se ky dokument përbën një nga instrumentet më të rëndësishme përsa i përket planifikimit dhe monitorimit të rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe nga procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“Plani ka një objektiv të dyfishtë. Së pari, ai do të shërbejë si instrument i planifikimit të plotësimit të detyrimeve të lindura nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit që përcakton detyrimin e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE në përputhje me afatet e përcaktuara nga kjo Marrëveshje. Së dyti, ky plan, bazuar në marrjen e statusit të vendit kandidat në qershor 2014, ka si pikësynim final përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me acquis e BE si një nga kriteret e anëtarësimit në BE”, deklaroi ajo.

E pyetur se “Çfarë do të mbajë projekt-rezoluta e Shqipërisë sa i përket konfliktit të Ukrainës me Rusinë?, ministrja Xhaçka u shpreh se “Nuk ka ende një projekt-rezolutë të draftuar, por jemi në fazën ku kemi dakordësuar një bashkëpunim të ngushtë me SHBA, ku do të jemi të dyja palët bashkëhartues, duke thelluar një marrëdhënie strategjie”.

Ndër të tjera, Ministrja Xhaçka nënvizoi se ky vit ka qenë vërtetë i rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE.

“Presim që BE të gjejë rrugën për t’i tejkaluar ngërçet që e bënë të pamundur që Shqipëria të merrte hapjen e negociatave që i ishte premtuar gjatë vitit 2021. Ne si Shqipëri nga ana tjetër, kemi bërë e do të vazhdojmë të bëjmë çdo gjë që na takon të bëjmë e që kemi marrë përsipër për të çuar përpara evropianizimin e vendit duke shpresuar që të njëjtën gjë do të bëjë edhe BE”, u shpreh ajo.