Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Konkursi i fotografisë “Colours of Albanians” është përmbyllur sot në Prishtinë me ceremoninë solemne për ndarjen e 10 çmimeve fituese.

Në fjalën e saj gjatë ceremonisë, Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, u shpreh e lumtur për bashkëpunimin e frytshëm midis dy ministrive.

“Gjuha e artit dhe e kulturës është ajo që na ka bashkuar sot në këtë galeri ngjyrash, në këtë bibliotekë, pavarësisht se vendet tona i lidh diçka edhe më e madhe”, theksoi zv/ministrja Fino.

Nga ana tjetër, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Disporës, Liza Gashi, theksoi se Colours of Albanians është projekti i parë i përbashkët midis dy Ministrive të Jashtme por jo i fundit.

“Në kuadër të protokollit zbatues që kemi me palën shqiptare, synojmë që të afrojmë komunitetin tonë, por në të njëjtën kohë edhe diasporën tonë përmes peisazheve videove, por edhe përmes aktiviteteve të të dy ministrive tona”, tha ajo.

Ndërsa Minstri i Kulturës i Republikës së Kosovës, Hajrullah Ceku, e ciësoi këtë ngjarje si të veçantë sidomos për simbolikën mes dy shteteve.

Konkursi që bëri hapjen në Shqipëri me 26 nëntor, është finalizuar në Kosovë në ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Mbi 5 mijë fotografi kanë qenë pjesë e konkursit që për herë të parë ishte organizim i përbashkët mes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.

Tema e CoA-s, këtë vit ishte “Gjurmë Identitare” e ndarë më pas në kategori për temat si: Portret Identitar dhe Familje, Kulturë dhe Art, Stil dhe Modë, Bashkëjetesë Fetare, Traditë, Zakone, Festa, Peizazh dhe Turizëm, Arkitekturë, Sport dhe Rekreacion.
Gjithashtu për herë të parë është ndarë një çmim i veçantë për diasporën.

Juria profesionale prej 7 anëtarëve nga Kosova dhe Shqipëria, ka zgjedhur 10 fotografitë fituese për seciën kategori, si më poshtë:
Portret Identitar dhe Familje – Enis Abdullahu
Kulturë dhe Art –  Kushtrim Krasniqi
Stil dhe Modë – Erjon Braja
Bashkjetesë Fetare – Adnan Beci
Traditë, Zakone, Festa – Ilir Agastra
Peizazh dhe Turizëm – Bleron Çaka
Flora dhe Fauna – Bleron Çaka
Arkitekturë – Marko Baco
Sport dhe Rekreacion –  Meriton Dajakaj
Çmimi i Diasporës – Fjoralba Golikja.

10 fotot fituese të përzgjedhura me profesionalizëm nga juria realizojnë një fushatë promovuese edhe më të gjerë për Shqipërinë dhe Kosovën, e cila do të përmbyllet edhe me një broshurë me 100 fotot më të mira të këtij edicioni e cila do të shpërndahet në të gjitha përfaqësitë diplomatike të dy vendeve nëpër botë.