Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja për Evropën dhe Punët e jashtme, Olta Xhaçka patën një konferencë për shtyp ku iu përgjigjën një sërë pyetjesh për samitin e NATO-s dhe hapjes së negociatave me BE.

Në fjalën e tij Kryeministri tha se ky samit ishte një mundësi e mirë për diskutime intensive për të arritur në një marrëveshje përfundimtare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që të hapej rruga e fillimit të negociatave për dy vendet.

“Kam qenë gjatë gjithë kohës në kontakt me Presidentin e Francës, i cili meriton një mirënjohje dhe falënderim të madh sepse ka ndjekur personalisht këtë proces. Qeveria dhe Parlamenti në Maqedoninë e Veriut, do ta pranojnë pa hezitim, propozimin e ri dhe përfundimtar”-tha Kryeministri Rama.

Kryeministri shtoi se nuk ka rëndësi se kur caktohen datat por që Shqipëria është vlerësuar nga Komisioni Evropian për progresin e bërë.

“Për sa kohë jemi në rregull me Komisionin Evropian, në lidhje me detyrat e kërkuara, jemi shumë të qetë. Ne e kemi bëre tonën dhe do vazhdojmë ta bëjmë tonën”.

Konferenca për shtyp u mbajt pas pjesëmarrjes së Kryeministrit Rama dhe Ministres Xhaçka Samitit të NATO-s në Madrid.