Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Më datën 30 gusht 2022 Zv. Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Megi Fino, ishte pjesëmarrëse në Forumin Strategjik të Bledit, përkatësisht në panelin me temë “Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor: Një ndjesi e vjetër e një fillimi të ri”.

Gjatë debatit fokusi u përqëndrua në nevojën e integrimit evropian të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke veçuar domosdoshmërinë e përshpejtimit të procesit për shkak të realitetit të ri gjeopolitik. Ndërsa në vend të ndjesisë së vjetër për një fillim të ri, sipas saj, do të ishte më me kuptim të flitej për ndjesi të re për një fillim të ri.

Znj. Fino ndër të tjera theksoi se Shqipëria e ka pritur me optimizëm hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në.

‘’Përveç kryerjes së detyrave të kërkuara nga Këshilli, Shqipëria ka vite që është duke u përafruar plotësisht me vendimet e BE-së për CFSP-në duke mos kërkuar asgjë në këmbim. Ajo që Shqipëria mund të bëjë është të ruajë përkushtimin e saj dhe t’i marrë seriozisht negociatat e anëtarësimit. Ne nuk presim një proces të lehtë, por presim trajtim dhe vendime të drejta’’, shtoi ajo.

Ajo shtoi se Shqipëria ka mbrojtur në mënyrë aktive rendin botëror të bazuar në rregullat ndërkombëtare gjatë kryesimit të saj në OSBE në vitin 2020, si dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Znj. Fino në përfundim të fjalës së saj u shpreh se Shqipëria do të mbetet e përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin rajonal duke kontribuar për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Zëvendës Ministrja Megi Fino ka marrë pjesë edhe në takimin e punës të zhvilluar me ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pjesë e Forumit Strategjik të Bledit, organizuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon.