Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

E nderuar kryetare e Kuvendit,

Kolegë deputetë,

E mora fjalën për të ndarë me ju zhvillimet në Kosovë, të cilat ne jemi duke i ndjekur nga afër me shumë shqetësim, veçanërisht ngjarjet në veri. Jemi të shqetësuar nga rritja e tensioneve dhe sigurisht jemi të angazhuar më të gjithë fuqitë dhe mundësitë tona, me aleatët dhe partnerët, me SHBA, NATO, BE, që situata të mos përkeqësohet më tej. Jemi po ashtu të shqetësuar, por edhe të keq ardhur, që gjendemi në këtë situatë kaq delikate, në një moment kur realisht besonim se kishte një mundësi shumë të mirë, kishte një rast të artë do të thosha, për të arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, që do të çonte drejt një zgjidhje përfundimtare dhe drejt një njohjeje reciproke.

Ky është një shqetësim që në fakt nuk e kemi vetëm ne, por e kanë të gjithë aleatët dhe partnerët, nga i pari tek i fundit. Dhe ky kontekst ndërkombëtar ndihmon shumë për të kuptuar më mirë qëndrimin e Shqipërisë. Por në rastin tonë, shqetësimi bëhet vërtet i madh kur konsideron që aleatët dhe partnerët në mënyrë unanime e gjejnë pjesën më të madhe të përgjegjësisë për këtë që po ndodh tek Kosova, çka ka krijuar mjaft tension dhe çka rrezikon të sjellë pasoja që deri dje as që mund të imagjinoheshin, duke e çuar Kosovën drejt izolimit dhe duke dobësuar në mënyrë shqetësuese pozitat e saj në sytë e SHBA dhe BE.

Situata më e fundit me tre policët e kapur nga ushtria serbe, padyshim e ndërlikon më tej situatën dhe rrezikon t’i hedhë benzinë zjarrit. Ne kemi qenë në kontakt të ngushtë me të gjithë aleatët dhe partnerët për këtë ngjarje. Kam komunikuar edhe me komandantin e KFOR duke kërkuar vlerësimin e tij për çfarë ka ndodhur.

Jemi në pritje të përfundimit të hetimit apo të raportimit që do ti bëjë KFOR NATO-s, por ajo që mund të them në këtë pikë, është që është e domosdoshme që të ruhet qetësia. Dhe është po ashtu e domosdoshme që Qeveria e Serbisë të lirojë pa humbur kohë të tre policët. Lirimi i tyre do të ishte një kontribut i madh drejt uljes së tensioneve ndërkohë që i lëmë kohë KFOR-it, që ka përgjegjësi për ruajtjen e kufirit të Kosovës në veri, që të zbardhë gjithë çfarë ka ndodhur. Ne kemi bërë dhe po bëjmë përpjekjet tona aktive që lirimi i tre policëve të kufirit të ndodhë por ndërkohë jemi të qëndrimit që ata nuk kanë bërë absolutisht asnjë vepër penale apo nuk e kanë kërcënuar sigurinë kombëtare të Serbisë. Në të tilla raste, edhe të kalimit të kufirit dhe të hyrjes në një zonë e cila do të konsiderohej e Serbisë, nëse e tillë ka qenë ngjarja, sigurisht që nuk parashikon arrest por do të parashikonte një kthim pas dhe ky është qëndrimi ynë. Përpjekjet tona do të vazhdojnë për të bërë të mundur lirimin e tyre dhe kthimin e tyre pranë familjeve.

Por në bisedën që pata me komandantin e KFOR-it, ai ma bëri të qartë, që raporti që prodhohet ndahet vetëm me NATO-n dhe që si vend anëtar i NATO-s por jo vetëm, si vend që e ka Kosovën interes kombëtar, gjysmën e kombit të vet, Shqipëria duhet të mbajë një qëndrim konstruktiv, të vetmin qëndrim në fakt, që e shtensionon situatën dhe e mbështet realisht Kosovën. I kemi ndjekur po ashtu me shqetësim edhe deklaratat e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me targa serbe. Theksojmë se lëvizja e lirë është një pjesë shumë e rëndësishme e angazhimeve që kemi dhe që kanë marrë të gjithë vendet tona, edhe Shqipëria dhe Kosova përfshirë, në kuadër të CEFTA-s dhe në kuadër të punës për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, por edhe në kuadër të Procesit të Berlinit, ku liria e lëvizjes dhe e qarkullimit të mallrave është një nga shtyllat kryesore të tij.

Sipas raportimeve që kam marrë sot, qeveria e Kosovës ka sqaruar që nuk bëhet fjalë për masa tregtare ekonomike, por për masa sigurie. Mbetet të shohim se çfarë do të thotë kjo në realitet, por ne shpresojmë që kjo të mos ndodhë, pasi kjo vetëm sa do të përshkallëzonte më shumë situatën dhe do të dëmtonte ekonomitë e rajonit, por mbi të gjitha vetë ekonominë e Kosovës, por do ta dobësonte pozitën e saj  edhe në sytë e aleatëve, të cilët kanë qenë dhe janë intensivisht të angazhuar për krijimin e tregut të përbashkët rajonal që është edhe shtylla kryesore e Procesit të Berlinit.

MEPJ e ka ndjekur me shumë vëmendje situatën e  krijuar mbas mbajtjes së zgjedhjeve në katër komuna me shumicë serbe dhe masat vijuese të panevojshme dhe të dëmshme politikisht. Kryeministri Rama dhe Ministria e Jashtme kanë qenë të zëshëm për këto zhvillime dhe po ashtu kemi qenë në kontakt me faktorin ndërkombëtar, veçanërisht me SHBA dhe BE.

Jo vetëm kaq, por kemi punuar në mënyrë proaktive për të gjetur një zgjidhje. Siç e dini Kryeministri Rama ka i ka përcjellë Berlinit, Parisit, Brukselit dhe Uashingtonit një draft për asociacionin. Ne e konsiderojmë hapin e ndërmarrë nga Kryeministri Rama, me propozimin për asociacionin, si një hap shumë të rëndësishëm  e të qenësishëm për shtensionim dhe rikthim në rrjedhë të dialogut.

Pas anulimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive kam dëgjuar shumë akuza e teori për mungesën e mbështetjes ndaj Kosovës. Dikush këtu e emërtoi edhe si një akt të madh sabotazhi, si një sanksion ndaj Kosovës nga Shqipëria.

Të gjithë ata që i kanë ndjekur marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën që prej viteve 1990 e dinë shumë mirë se zakonisht ata që bërtasin më shumë se ju digjet barku për Kosovën janë ata që kanë bërë më pak, ose i kanë bërë më shumë dëm Kosovës.

Të gjithë e kanë të qartë se kush furnizonte Milosheviçin me naftë dhe sabotonte UÇK dhe kush mbështeste UÇK e priste qindra mijëra refugjatë kosovarë gjatë muajve më të zinj të luftës barbare të Milosheviçit.

Ishte po kjo parti që qeveris sot Shqipërinë.

E pra, për ne Kosova është e shenjtë, për ne Kosova është një prioritet kombëtar që udhëheq çdo veprim e çdo aksion në politikën tonë të jashtme.

Ne ndajmë plotësisht objektivat e qeverisë së Kosovës, të çdo qeverie të Kosovës në fakt, për një zgjidhje përfundimtare të negociuar me Serbinë, për anëtarësimin e Kosovës në OKB, etj.

Kjo nuk do të thotë që ne të mbështesim 100% e në mënyrë të pakushtëzuar qeverinë e Kosovës në çdo hap që ajo bën edhe kur jemi të bindur që ajo që po bën është një gabim me pasoja mjaft të rënda për Kosovën.

Kjo nuk do të ishte mbështetje për Kosovën. Kjo do të ishte e papërgjegjshme dhe le të bërtasin sa të duan analistët dhe kinse patriotët e rrjeteve sociale, kjo nuk ka për të ndodhur kurrë.

Është e  domosdoshme që situata të shtensionohet. Është e domosdoshme që qeveria e Kosovës të dëgjojë partnerët tanë ndërkombëtarë, aleatët tanë, SHBA e BE, për shtensionimin e situatës. Është e domosdoshme që të ndalet thellimi i hendekut të qëndrimeve me SHBA e BE sepse pasojat janë vërtet të rënda.

Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dialogu Kosovë- Serbi është rruga e vetme drejt paqes. Kjo sigurisht që kërkon guxim. Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse paqeje, të mbështetur nga BE-ja dhe SHBA, që mundëson njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, kërkon më shumë guxim sesa ajo që po ndodh sot në Veri që pa dyshim ka rëndësinë e vet, por dytësore krahasuar me përfitimet që Kosova do të kishte nga një qasje konstruktive krah miqve dhe aleatëve.

Dhe në këtë proces Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar për të kontribuar me çdo mjet dhe më të gjithë mundësitë e saj, në mënyrë konstruktive, por jo duke vazhduar në rrugën e përplasjes me të gjithë miqtë e aleatët, sepse nga kjo Kosova nuk mund të dalë kurrë e fituar.