Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Është kënaqësi e veçantë për mua, që pata mundësinë të prisja sot në një vizitë zyrtare në Tiranë, kolegen dhe miken time, Ministren e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Mélanie Joly. Kjo është një vizitë e një rëndësie të veçantë gjatë së cilës ne patëm një shkëmbim të frytshëm mendimesh për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, si edhe për të eksploruar potenciale të reja për diversifikimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Padyshim që ky takim dhe ato që do të vijojnë gjatë kësaj vizite, por edhe kontaktet e tjera të të gjitha niveleve që po zhvillohen ndërmjet dy vendeve tona, janë shprehje e vullnetit të përbashkët për ta zhvilluar në mënyrë intensive bashkëpunimin tonë, për ta bërë atë më përmbajtësor dhe pasuruar si në dimensionin politik, ekonomik, ashtu dhe në dimensione te tjera.

Vitin e kaluar ne festuam 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve. Sot konstatuam me kënaqësi se marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Kanadasë kanë njohur rritje të vazhdueshme dhe karakterizohen nga një frymë e konsoliduar e miqësisë dhe bashkëpunimit konstruktiv, bazuar në vlerat demokratike që ndajnë të dy vendet. Roli dhe kontributi i Kanadasë në arenën ndërkombëtare është rritur dukshëm, ku spikat roli i i mikes time Ministres Joly e cila duhet thënë që ka një kontribut të dorës së parë edhe në këtë intensifikim të marrëdhënieve mes nesh dhe vëmendje të shtuar të Kanadasë ndaj rajonit tonë.

Çështjet e bashkëpunimit tonë dypalësh, zunë vend të rëndësishëm në diskutimin tonë të sotëm. Ne diskutuam për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit me interes të përbashkët, mundësitë për të rritur praninë kanadeze dhe investimet kanadeze në Shqipëri; në fusha bashkëpunimi si: energjia, siguria e energjisë, minierat, menaxhimi i burimeve ujore, turizmi, bujqësia, infrastruktura, inovacioni, të drejtat e njeriut, shkenca, arsimi, etj. Në veçanti vlerësova rëndësinë e riaktivizimit të Fondit Kanadez për Iniciativat Lokale për të mbështetur programe të ndryshme, duke përfshirë ato për të drejtat dhe fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore, një çështje që si unë po ashtu edhe mikesha ime Melanie e ka shumë për zemër, por edhe në fusha si bujqësia dhe arsimi.

Pata rastin t’i shpreh koleges mirënjohjen tonë për miratimin e Marrëveshjes së Sigurimeve Shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë çka është një zhvillim vërtet i rëndësishëm për qytetarët e dy vendeve, dhe një kërkesë e vazhdueshme e bashkëkombësve tanë që formojnë sot një komunitet të qenësishëm në Kanada dhe një urë miqësie mes vendeve tona.

Me kolegen Joly bashkëndamë, ashtu siç kemi bërë në shumë raste e forume në të shkuarën, vlerësime dhe qëndrime të njëjta lidhur me agresionin rus në Ukrainë. Në kushtet e sfidave të reja, të shkaktuara nga zhvillimet në Ukrainë dhe sfida e qartë dhe agresive ndaj vlerave e rendit ku ne besojmë, konstatuam nevojën për të rritur dhe forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin tonë dypalësh, me vendet e njëmendta dhe partnerët tanë në NATO. I theksova Minisres Joly solidaritetin dhe mbështetjen tonë me aleatët dhe partnerët, në kuadër të luftës së padrejtë dhe të pajustifikuar të Rusisë në Ukrainë dhe ndikimit të saj në rajone të ndryshme, përfshirë rajonin tonë.

E garantova po ashtu kolegen, e përmes saj qeverinë e Kanadasë, se Shqipëria mirëpret një përfshirje më të madhe e më intensive të bizneseve kanadeze në ekonominë e saj, ku ka padyshim mundësi e potenciale të mëdha që duke punuar së bashku mund t’i shfrytëzojmë në përfitim të dy vendeve tona.

Së fundi, dua të theksoj edhe njëherë një mesazh që i dhashë koleges gjatë takimit. Intensifikimi i vizitave, thellimi e zgjerimi i marrëdhënieve mes nesh nuk është një rastësi. Ky thellim i marrëdhënieve, ndërtohet mbi një themel të shëndoshë vlerash e pikëpamjesh mbi botën, mbi besimin e përkushtimin tonë ndaj një të ardhmeje të bazuar tek toleranca, diversiteti, demokracia e respekti për ligjin. Është ky përkushtim ndaj këtyre vlerave që përbën themelet mbi të cilat unë shpresoj shumë do të dimë të hapim një faqe të re në marrëdhëniet tona, si dy vende mike e partnere.

E falënderoj edhe njëherë Ministren Joly për takimin e sotëm, i uroj vazhdim të suksesshëm të vizitës dhe i shpreh gatishmërinë time e të Qeverisë shqiptare për të punuar me përkushtim e vullnet maksimal për ta çuar këtë marrëdhënie përpara.