Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Misioni i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme është hartimi dhe zbatimi i politikave të jashtme, drejtimi teknik dhe bashkërendimi i procesit të integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, zhvillimi dhe fuqizimi i diplomacisë ekonomike, si dhe mbrojtja e të drejtave të shtetasve shqiptarë dhe komuniteteve shqiptare jashtë vendit.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ushtron veprimtarinë e saj në këto fusha përgjegjësie shtetërore:

 

a) Harton, përpunon, organizon dhe zbaton politikën e jashtme të shtetit shqiptar;

b) Realizon shprehjen dhe mbrojtjen e interesave të shtetit shqiptar dhe të shqiptarëve në marrëdhëniet ndërkombëtare me shtetet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare;

c) Mbështet  Kuvendin  e  Republikës  së  Shqipërisë,  Këshillin  e  Ministrave  dhe Presidentin  e Republikës së Shqipërisë në përcaktimin e qëndrimeve të rëndësishme lidhur me politikën e jashtme;

ç) Mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë dhe të komuniteteve shqiptare jashtë vendit, si dhe organizon, harton e zbaton politikën shtetërore në interes të tyre në bashkëpunimin me ministritë përgjegjëse;

d) Nxit dhe ndihmon për zhvillimin e komunikimit e të ndërveprimit të diasporës dhe të shqiptarëve jashtë kufijve me përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë, në shtetet ku ata banojnë;

dh) Promovon dhe ndihmon në rritjen e zhvillimin e vlerave dhe të traditave më të mira shqiptare te bashkëkombësit jashtë kufijve shtetërorë;

e) Promovon interesin ekonomik kombëtar në arenën ndërkombëtare, duke ndërmarrë aktivitete zyrtare diplomatike të fokusuara në rritjen e eksporteve, tërheqjen e investimeve të huaja dhe pjesëmarrjen në punë të organizatave ekonomike ndërkombëtare;

ë)  Bashkërendon procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, nëpërmjet përafrimit të legjislacionit dhe hartimit të politikave të integrimit, si dhe propozon projektaktet, që kanë lidhje procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.