Ministry of Health and Social Protection

 

KONSULTIMI I STRATEGJISË SË SHËNDETËSISË “2017-2020”


Mbi Strategjinë:

(Draft) Strategjia e Shëndetësisë “2017-2020” (SKSH) është dokumenti kryesor strategjik kombëtar i shëndetësisë, që mbështetet në vizionin e një sistemi shëndetësor, që garanton “Shëndet dhe mirëqenie më të mirë, nëpërmjet një kujdesi shëndetësor cilësor, në kohën e duhur, të qëndrueshëm dhe të përballueshëm për të gjithë shtetasit rezidentë, të orientuar në parandalimin e sëmundjeve dhe promovimin e jetesës së shëndetshme në të gjitha segmentet e shoqërisë dhe gjatë gjithë jetës.”.

Parimet mbi të cilat është bazuar strategjia janë ato të standardeve të larta, që e njohin shëndetin si një e drejtë e njeriut, që sigurohet nëpërmjet kujdesit shëndetësor efektiv dhe efikas, të mirë qeverisur dhe që ofron mbulim, cilësi dhe akses universal, solidaritetit, integritetit, transparencë dhe llogaridhënie.

(Draft) Strategjia e shëndetësisë 2017-2020 përmbledh shumë aspekte të mirëqenies dhe shëndetit të mirë, duke përfshirë reduktimin e pabarazive në shëndet, zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës dhe teknologjisë moderne shëndetësore, burimeve njerëzore dhe kapaciteteve institucionale, rritjen e sigurisë dhe cilësisë, qasje të barabartë për të gjithë dhe mbrojtje nga barra financiare për shkak të kostos së trajtimit të sëmundjeve.

(Draft)Strategjia është një gërshetim i vizionit, prioriteteve, objektivave dhe aktiviteteve për arritjen e Mbulimit Universal, në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI 2015-2020) dhe programin e Qeverisë; me vizionin e Kornizës së Politikave Evropiane të OBSH-së për Shëndetin dhe Mirëqenien ”Shëndet 2020”, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) dhe prioritetet e BE-së.

 

Qëllimi i proçesit të konsultimit publik:

Rekomandimet dhe komentet nga qytetarët, publiku i gjerë, shoqëria civile, universitetet, shoqatat e profesionistëve të shëndetësisë, partnerët ndërkombëtarë, do të ishin një kontribut i vyer, për të hartuar një dokument strategjik gjithëpërfshirës, që adreson sfidat e shëndetësisë shqiptare në rrugën drejt Mbulimit Universal.

Ju ftojmë të dërgoni komentet dhe rekomandimet Tuaja, brenda 20 ditëve, në adresën: aida.hasmeta@shendetesia.gov.al

Faleminderit për bashkëpunimin!

Ju mund të shkarkoni draft-strategjinë në  lidhjen si vijon: