Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Lundroni në këtë Seksion

Arian JaupllariZëvendës Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Z. Arian Jaupllari ka lindur në Korçë, më 22.5.1960. Ai është i martuar me znj. Luiza Jaupllari dhe kanë dy fëmijë: Enxhino dhe Pjerino.

Ka përfunduar shkollën e mesme “Jani Minga”, profili Farmaci në Vlorë, e më pas ka kryer studimet e larta për Farmaci në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë në vitin 1985. Në vitin 2005 ka përfunduar studimet e ciklit të dytë në Farmaci, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2010 ka kryer studimet Doktorale në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë.

Z. Jaupllari ka pasur një angazhim dhe përvojë të gjatë në fushën e Farmaceutikës duke mbajtur detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në Korçë, (2002-2004), atë të drejtorit në Drejtorinë Farmaceutike, në Ministrinë e Shëndetësisë (2004-2006), Presidentit të Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë (2006-2013) si dhe detyrën e Kryetarit të Komisionit të Çmimit të Barnave.

Ka kryer një sërë trajnimesh, kualifikimesh dhe veprimtari të tjera ndërkombëtare me karakter shkencor e teknik. Gjithashtu, ka një angazhim të rëndësishëm në median e shkruar e vizive si dhe një sër pjesëmarrjesh aktive në simpoziume.

Z. Jaupllari, në zgjedhjet lokale të vitit 1992 zgjidhet kryetar Komune në Komunën Moglicë në Korçë (1992-1996). Prej vitit 1996-1999 ka qenë kryetar në Këshillin e Komunës Moglicë në Korçë. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, ka qenë kandidat për deputet në qarkun Korçë.

Krahas eksperiencave të mësipërme ka dhënë kontributin e tij si mësues në Shkollën e Mesme të Përgjithshme në Korçë (1987-1989), pedagog në Universitetin e Korçës (Programi 1-vjeçar i Infermierisë) dhe në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë prej vitit 2001-2012.

Para se të merrte postin e zëvendësministrit në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Jaupllari prej vitit 2018 është angazhuar pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural fillimisht si Këshilltar i Ministrit në (2018-2019), më pas drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme Rregullatore dhe të Përputhshmërisë në Bujqësi, Ushqim dhe Zhvillim Rural (2019-2022). Gjatë kësaj periudhe ka qenë bashkëautor i Reformës Veterinare duke e ndjekur nga inicimi deri në zbatimin me sukses.

Z. Jaupllari zotëron shumë mirë gjuhën angleze.