Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

KLIKONI KËTU PËR TË PARË LISTËN E 100 FSHATRAVE

“Programi i Integruar për Zhvillimin Rural – Programi i 100 Fshatrave”

i) Qëllimi i Programit

Programi i Integruar për Zhvillimin Rural (PIZHR) – Programi i 100 fshatrave synon të koordinojë ndërhyrjet zhvillimore në hapësirën rurale të 100 fshatrave, përcaktuar në shtojcën B të kësaj strategjie, sipas qasjes ndërsektoriale dhe me shumë aktorë, duke u shkëputur nga ndërhyrjet e copëzuara dhe me qasje strikte sektoriale, që po ndodhin apo pritet të ndodhin në vend.

ii) Objektivat e Programit

PIZHR do të programojë ndërhyrjet me investime të integruara në zonat e përcaktuara (100 fshatra), nëpërmjet 3 objektivave si më poshtë:

a) Përmirësimi i infrastrukturës publike(mbeshtetja për infrastrukturë rrugore, rivitalizime hapësirash publike/urbane, infrastrukturë komunitare, shërbime publike, infrastruktura mjedisore, turistike, monumente të trashëgimisë kultutrore, qendra multifunksionale komunitare, pejsazhi mjedisor etj.)

b) Zhvillimi ekonomik nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve ekonomike( përmirësimi i potencialit turistik në hapësirat rurale, agroturizëm dhe turizëm rural, investimet në përmirësimin e shërbimeve tregtare, investime ne prodhimin e produkteve tradicionale dhe sherbime te tjera ekonomiko-financiare etj. Mbështetja për inkubatorë të produkteve rurale tradicionale, promovim dhe marketim të zonave rurale, shërbime transporti, panaire dhe festat lokale etj.)

c) Zhvillim i kapitalit social dhe njerëzor,(mbështetje për krijimin e rrjeteve rurale, grupeve lokale të veprimit si dhe shoqërinë civile në zonat rurale, trajnim profesional për të rinjtë dhe gratë, mbështetje të trashëgimisë kulturore, mbështetje për promovimin e traditave dhe jetesës në fshat, etj.)

Kohëzgjatja e programit

“Programi i Integruar për Zhvillimin Rural –Programi i 100 fshatrave”, do të zbatohet në periudhën 2018-2020.

Zbatimi

Projektet e financuara në kuadrin e programit të 100 fshatrave do të zbatohen kryesisht nga bashkitë si dhe agjenci të tjera publike (Agjencitë e Zhvillimit Rajonal 1,2,3 dhe 4, Agjencia për Zhvillimin Ekonomik Rajonal, Agjencia Kombëtare e Turizmit, FSHZH, MADA, etj.).

Programi do të mbështesë edhe projekte të propozuara nga organizatat e shoqërisë civile (OJF), individë, fermërë, persona juridik etj., në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Financimi i programit

Programi i 100 fshatrave mund të financohet nga buxhetet e ministrive pjesëmarrëse në program. Në detajimin e fondeve për investime, të alokuara në buxhetet respektive të ministrive apo instituconeve të tyre të varësisë, ministritë pjesëmarrëse në program do synojnëti japin përparësi projekteve të identifikuara dhe që zbatohen në zonën e përcaktuar të 100 fshatrave.

Projektet e identifikuara në kuadrin e programit të 100 fshatrave, mund të financohen edhe nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, sipas kritereve dhe rregullave të përcaktuara nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve.

Ministritë pjesëmarrëse, mund të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi për grante, për financimin e këtij programi nga donatorë dhe me financim të huaj.

Programi mund të financohet nga çdo burim tjetër i ligjshëm apo nëpërmjet mekanizmave të partneritetit publik-privat.

Projektet Strategjike

Në kuadrin e programit të 100 fshatrave, janë identifikuar 3 projekte strategjike të cilat do të zbatohen me prioritet të lartë:

i) Krijimi i rrjetit të agroturizmit shqiptar

Programi do të synojë mbështetjen për rreth 27 sipërmarrje agroturizmi të reja dhe 150 bujtina. Mbështetja do të synojë gjithashtu edhe përmirësimin e fermave dhe staneve blegtorale për qëllime të veprimtarisë së agroturizmit dhe turizmit rural.

ii) Rrjeti i inkubatorëve të produkteve tradicionale

Programi do të synojë të krijojë rrjetin e “Inkubatorëve të Produkteve Tradicionale”, që do të jenë hapësira që ofrojnë infrastrukturë të gatshme për të gjithë znixhirin e vlerës së produktit, duke filluar që nga ambjentet dhe pajisjet e prodhimit/magazinimit, linjave të paketimit dhe marketimit, mbështetje për standardizimin dhe çertifikimin si dhe hapësirë për shitje të produkteve.

iii) Rrjeti i markatave/dyqaneve të produketeve shqiptare dhe tradicionale

Produktet tradicionale shqiptare kanë treguar që e kanë të vështirë depërtimin në tregjet dhe dyqanet e shitjes me pakicë, për shkaqet e shpjeguara në nën-pikën ii). Në mbështetje të “hallkës” së fundit të zinxhrit të vlerës (shitja), programi do të synojë që të krijojë një rrjet të markatave/dyqaneve që do të jenë të specializuara në shitjen e produkteve shqiptare, në veçanti produkteve tradicionale. Do të synohet që ky rrjet të ketë emërtimin e vet (markën/brandin) që e dallon nga rrjetet e tjera dhe bazuar në një strategji të posacme marketingu dhe franchise, do të mund të krijojë një masë kritike të dyqaneve që do të bëjnë të mundur rritjen e përqindjes së shitjes së produkteve shqiptare/tradicionale. Mbështetja financiare për ngritjen e këtij rrjeti do të parashikohet në kuadrin e programit të 100 fshatrave.”

Autoriteti Administrues

Për administrimin e Programit të Integruar për Zhvillimin Rural (PIZHR)-Programi i 100 fshatrave krijohet “Komisioni Ndërministror për Programin e 100 fshatrave” me përbërje të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Ministrit të Infrastrukuturës dhe Energjisë si dhe Ministrit të Kulturës.

Komisioni Ndërministror për Programin e 100 fshatrave

Komsioni ndërministror mblidhet rregullisht për të vendosur mbi ecurinë e programit, por jo më pak se 1 herë në tre muaj. Komisioni, si autoriteti më i lartë vendimmarrës i programit, vendos për të gjitha çështjet që lidhen me administrimin, programimin, financimin, zbatimin dhe monitorimin e programit. Komisioni në veçanti vendos për:

  • Shqyrtimin dhe miratimin e planeve të zhvillimit të fshatrave dhe projekt-ideve, që i paraqiten komisionit për mbështetje nga “Programi i 100 fshatrave”;
  • Propozimin për masën e financimeve vjetore për programin e 100 fshatrave, nga buxhetet e ministrive pjesmarrëse në program, dhe/ose ministrive të tjera si dhe nga FZHR-ja;
  • Marrëveshjet e bashkëpunimit me donatorë dhe partnerë të tjerë, për mbështetjen e programit të 100 fshatrave;
  • Miratimin e raport-progresit të zbatimit të programit;
  • Çdo çështje tjetër që lidhet me administrimin e programit;

Për një koordinim dhe bashkërendim më të mirë të programit, komisioni zhvillon takime konsultuese me bashkitë dhe komunitetin e donatorëve.

Për zbatimin e këtij programi, Komisioni bashkëpunon në veçanti me bashkitë dhe Agjencitë Rajonale të Zhvillimit, si dhe me partnerë të tjerë publik apo privatë, që janë të interesuar për të mbështetur programin e 100 fshatrave.

Sekretariati Teknik

Për administrimin sa më të mirë të këtij programi, Komisioni mbështetet nga Sekretariati Teknik që krijohet pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me Urdhër të Ministrit Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Sekretariati Teknik kryen detyra ndihmëse dhe administrative.

Ministritë pjesëmarrëse në program, caktojnë personat e tyre të kontaktit (në nivel drejtuesi të ministrisë), që janë ura lidhëse midis sekretariatit teknik dhe ministrive përkatëse.

Sekretariati Teknik, kryen këto detyra:

  • Përgjigjet për organizimin dhe mbajtjen e procesverbaleve të mbledhjeve të Komisionit;
  • Përgatit materiale dhe raporte me shkrim për ecurinë e zbatimit të programit;
  • Informon dhe koordinon punën me institucionet publike, bashkitë, agjencitë zbatuese si dhe me partnerë të tjerë, në zbatim të detyrave të përcaktuara nga komisioni;
  • Kujdeset për administrimin e faqes së internetit të programit të 100 fshatrave;
  • Kujdeset për informimin publik dhe transparencën e programit të 100 fshatrave;
  • Kryen çdo detyrë tjetër që i ngarkohet nga komisioni.