Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Zv. ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Enio Civici, ka uruar të gjithë studentët e pedagogët që nisën sot vitin e ri akademik 2023-2024 në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT).
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, në auditorin qendror të UBT-së, ku ishin të pranishëm studentë dhe pedagogë të këtij universiteti, Civici përshëndeti në emër të ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, duke i uruar të gjithë studentëve që fillojnë studimet sot, suksese në fushën e bukur që kanë zgjedhur, por edhe me sfida të rëndësishme të bujqësisë dhe zhvillimit rural.
“Bashkëpunimi mes Ministrisë së Bujqësisë dhe Universitetit, mbetet i ngushtë e do të vijojë, duke sjellë dijen më pranë fermerëve në të gjithë territorin e vendit tonë”, tha Civici.
Zv. ministri i Bujqësisë, u shpreh shumë i lumtur tek dëgjoi që UBT-ja, është Universiteti me më shumë regjistrime.
“Të jeni të sigurt se universitet më të mirë dhe të rëndësishëm për ekonominë shqiptare nuk ka. Këto vite duke punuar në MBZHR, në bashkëpunim të ngushtë me UBT-në, patëm mundësinë të shohim potencialin e jashtëzakonshëm që ndodhet këtu”, tha ai.
Civici vuri në dukje gjatë fjalës së tij, se interesi i shtuar i të rinjve për të studiuar në këtë universitet, nuk është vetëm shpallja e degëve prioritare dhe mbështetja nga qeveria me 40 mijë lekë e studentëve që do të studiojnë në UBT-s, por është lidhja e madhe që ky Universitet ka me tregun e punës.
“Ne jemi pikërisht për të ndihmuar dhe nxitur më tej këtë lidhje. Jemi partner për t’ju mbështetur ju, zhvilluar vendin dhe bujqësinë”, deklaroi Civici.

{:}