Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi ishte e ftuar në konferencën online me fokus zhvillimin e sektorit të blegtorisë që u organizua nga fondacioni “Blegtoria dhe Bujqësia shqiptar”. Në fjalën e saj, ministrja Ekonomi falenderoi organizatorin e konferencës Gojart Smaja me të cilën është vendosur një bashkëpunim i mirë sa i takon shkëmbimit të mendimeve dhe sugjerimeve që ai përcjell në drejtim të MBZHR. Ekonomi vlerësoi organizimin e kësaj konference e cila përkon dhe me momentin kur MBZHR do të çelë aplikimet për Skemën Kombëtare mbështetëse, ku blegtorët janë ndër përfituesit e saj.

“Bashkëpunimi me të tilla organizata në Hollandë që kanë një rol mentori është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë shqiptare dhe vecanërisht blegtorisë”, u shpreh ministrja Ekonomi.

Sektori bujqësor dhe blegtoral në vend konsiderohet si një nga degët më të rëndësishme të ekonomisë së vendit, jo vetëm për shkak të peshës që zë në prodhimin e brendshëm bruto, por edhe si burimi kryesor i të ardhurave për popullsinë rurale, punësimin etj.

Shqipëria ka kushte të favorshme për zhvillimin e blegtorisë, traditë të hershme dhe kërkesat për produktet blegtorale janë vazhdimisht në rritje.

Aktualisht në shkallë vendi mbarështohen rreth 370 mijë krerë gjedhë, nga të cilat rreth 300 mijë krerë lopë, të leshta rreth 1,6 milion krerë dhe të dhirta 0,8 milion krerë.

Në total, numri i fermave që mbarështojnë gjedhë është rreth 122 mijë ose rreth 1/3 e numrit të fermave në vend. Fermat me 1-2 krerë zënë 72% të totalit dhe rreth 40% të kafshëve. Ferma me 5 krerë janë rreth 11 mijë dhe përfaqësojnë 9% të totalit të tyre apo 38% të numrit të kafshëve.

Ndërsa numri i bagëtive të imtëta në fermat me mbi 50 krerë zë afërsisht 70% të totalit të krerëve që mbarështohen në vend.

Prodhimi i qumështit në total është më shumë se një milion ton, i dominuar nga prodhimi i gjedhit, ndërsa prodhimi i mishit është mbi 150 mijë ton në vit.

Shumica e qumështit prodhohet nga prodhues të vegjël gjysmë të specializuar që kanë më pak se 5 lopë. Prodhimi i qumështit të lopës vjen më së shumti nga zonat fushore dhe kodrinore; mbarështimi i deleve për qumësht është i përqendruar në jug, ku ndodhen gjithashtu edhe fabrika djathi të specializuara. Industria e përpunimit të qumështit në vitet e fundit është përmirësuar dhe pasuruar me disa fabrika moderne, sidomos në zonat fushore të vendit. Veçori tjetër e tyre janë kapacitet optimale të prodhimit dhe shumëllojshmëria e artikujve.

Për sa i përket kërkesës, produktet e bulmetit janë pjesë e rëndësishme e shportës ushqimore për konsumatorët shqiptarë dhe ka një preferencë të përgjithshme për produkte bulmeti të vendit.Parë në aspektin ekonomik, ka disa kufizime, përfshirë përmasën e vogël të fermave, konkurrueshmërinë në rritje nga importet dhe informalitetin fiskal.

Prioritet për sektorin e bulmetit mbetet të jetë prodhimi për plotësimin e kërkesës së tregut të brendshëm, përmbushja e standardeve të sigurisë së ushqimit si dhe përmirësimi i ambalazhimit dhe të etiketimit.

Ndërsa prodhimi vendas i mishit, është ende i fragmentuar, ku shumica e fermave që merren me mbarështimin e gjedhit, të imtave dhe derrave, janë të vogla. Eksporti i mishit është i ulët, ndërsa importi mbetet ende i lartë, i qëndrueshëm edhe gjatë viteve të fundit. Ndërkohë industria e përpunimit të mishit paraqitet e stabilizuar, e përqendruar në tregun vendas dhe mbështetet në importin e mishit me çmim të lirë nga importi.

Potencialet për rritjen e prodhimit të mishit janë të mëdha, duke marrë parasysh që konsumi i mishit dhe nënprodukteve të tij është rritur dhe pritet të rritet më tej.

Në vend ka zona me dendësi të ulët të bagëtive të imëta dhe zona të pashfrytëzuara të tokës bujqësore. Nga ana tjetër, preferencat e konsumatorëve për produkte mishi të vendit ofrojnë një mundësi shtesë që prodhuesit vendas të rrisin prodhimin e tyre.

Për arsye të shumta, në vitet e fundit po vërehet një prirje e ujles së numrit të krerëve të gjedhit dhe bagëtive të imëta. Në një situatë të tillë, sfidat para këtij sektori janë të shumta dhe komplekse.

Ndërkohë synimi ynë është zhvillimi dhe modernizimi i këtij sektori kaq të rëndësishëm, për ekonominë e vendit. Rritja e madhësisë së fermave dhe rendimenteve të prodhimit, përmirësimi i kushteve të strehimit, përmirësimi racor, futja e teknologjive të reja në mbarështimin e kafshëve, dhe rritja e të ardhurave të fermerëve janë disa nga drejtimet kryesore të punës dhe njëkohësisht fushat ku nevoitet dhe kërkohet më shumë mbështetje.

Fokusi kryesor në skemat mbështetëse që MBZHR po zbaton, është blegtoria dhe financimet direkte për fermat blegtorale zenë edhe peshën me të madhe të fondeve të alokuar. Vetëm në 3 vitet e fundit (2018-20) kanë përfituar mbi 10 mijë fermerë me një fond prej rreth 1.7 miliard lekësh. Edhe për vitin 2021, pjesa më e madhe e fondit të skemës kombëtare do të përdoret për mbështetjen e blegtorisë, për fermat me mbi 5 lopë dhe mbi 70 krerë të imëta.

Po kështu, nëpërmjet financimit të programit IPARD II po sigurohet mbështetje për fermat blegtorale, thertoret dhe përpunimin e produkteve blegtorale.

Kohët e fundit, jemi angazhuar në reformimin e shërbimit veterinar në vend për të përmirësuar shëndetin e kafshëve dhe sigurinë ushqimore të produkteve blegtorale. Kemi krijuar Autoritetin Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe po punojmë të fuqizojmë edhe kapacitetet e ISUV dhe AKU.

Lidhur me sigurinë ushqimore, një ndër kriteret që duhet plotësuar në planin e integrimit të vendit në BE, ministrja e Bujqësisë Milva Ekonomi tha se Agjencia Kombëtare e Ushqimit (AKU), është e ngarkuar për të implementuar planin e rriskut në Shqipëri për sigurinë ushqimore për produktet që kanë origjinë shtazore dhe jo shtazore.

“Në bashkëpunim dhe me një projekt të BE që vjen si një binjakëzim me Agjencinë e Sigurisë Ushqimore në Irlandë, AKU po zhvillon dita ditës kapacitetet e veta. Për ne transpozimi i gjithë direktivave të BE-së në sigurinë ushqimore mbetet prioritet”, tha ministrja Ekonomi.{:}