Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Me fokus sigurinë ushqimore në kopshte dhe shkolla, Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit kanë nisur aksionin nga qyteti i Lezhës.

Sipas zv.ministres së Bujqësisë, Mira Gjeçi pranë shkollave dhe kopshteve askush nuk do të tregtojë më ushqime apo produkte të pasigurta dhe se ky operacion do të jetë në vijimësi gjatë gjithë vitit. Ndërsa ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla u shpreh se e gjithë vëmendja do të jetë tek nxënësit, tek mësuesit edhe në një aspekt tjetër që lidhet me sigurinë ushqimore.
Theksojmë se në të gjithë vendin kanë nisur kontrollet për subjektet tregtare apo operatorët e shërbimit që afrojnë produkte ushqimore pranë shkollave dhe kopshteve. Kjo bëhet për të garantuar siguri për shëndetin e nxënësve dhe fëmijëve të vegjël. Ndërkohë, në muajin tetor do të kalojnë në inspektim të gjitha njësitë e shërbimit pranë shkollave, për të vijuar më pas me kontrolle, sipas një grafiku që do të hartohet nga Departamenti i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
AKU inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi nga këto subjekte pranë shkollave dhe kopshteve në info@aku.gov.al si dhe në portalin e bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”. Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.{:}