Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

[metaslider id=16278]

 

Shqipëria do të eksportojë qingja dhe keca në Arabinë saudite, ministri Çuçi pret delegacionin arab: Momenti të rrisim bashkëpunimin tregtar mes dy vendeve

 

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z.Bledi Çuçi prit sot një delegacion arab të kryesuar nga zv.ministri i Bujqësisë në Arabinë Saudite, z. Ahmed Saleh A. Alkhamshi. Diskutimi u fokusua në rritjen e bashkëpunimit tregtar mes dy vendeve kryesisht në eksportin drejt Arabisë të kafshëve të gjalla, qingjave dhe kecave, eksportin e fruta-perimeve, eksportin e jonxhës dhe produkteve të akuakulturës.

“Në të shkuarën ne kemi pasur një historik shkëmbimesh tregtare mes dy vendeve, por nuk ka qenë në nivele të mjaftueshme. Tani janë të gjitha mundësitë që ne të rrisim bashkëpunimin sidomos në fushën e eksportit të prodhimeve bujqësore e blegtorale. Bujqësia dhe zhvillimi rural është një nga sektorët kyç në ekonominë shqiptare. Ne i kemi kapacitetet dhe ky është momenti të intensifikojmë raportet tregtare”, tha ndër të tjera ministri Çuçi.

Veç eksportit të produkteve bujqësore e blegtorale, me interes të madh nga pala arabe ishte edhe bashkëpunimi në sektorin e akuakulturës, i cili është një nga sektorët me rritjen më të madhe në ekonominë shqiptare gjatë katër viteve të fundit.

Pala arabe shprehu interes të veçantë për zgjerimin në Shqipëri të tregut të hurmave, një produkt tipik i tyre me vlera ta larta ushqyese e kurative.

Për konkretizimin e këtij bashkëpunimi, sidomos për nisjen e eksportit të qingjave dhe kecave nga Shqipëria, u dakordësua ngritja e një komisioni të përbashkët, për njohjen e procedurave të çertifikimit hallall dhe më pas do të nënshkruhet marrëveshja mes dy ministrive.{:}