Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministri i Bujqësisë prezanton drejtorin e ri të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit

z.Agron Hetoja ka marrë sot zyrtarisht detyrën e drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrte pjesë ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z.Bledi Çuçi dhe ish-drejtori Agim Ismaili. Gjatë fjalës së tij ministri Çuçi vlerësoi punën e bërë deri më tani nga ish-drejtori Ismaili dhe kërkoi prej pasardhësit të tij të vijohet me vendosmërinë për rritjen e sigurisë ushqimore në vend. Ministri përmendi gjithashtu partneritetin e ri me Bashkimin Europian në fushën e sigurisë ushqimore, projekt që u prezantua një ditë më parë dhe ku AKU-ja do të ketë rol deçiziv në transformimin rrënjësor që synohet t’i bëhet kontrollit të të gjitha hallkave të zinxhirit ushqimor në Shqipëri. Z.Çuçi shprehu besimin se nën drejtimin e z.Hetoja dhe me asistencën e Autoritetit të Sigurisë Ushqimore në Irlandë dhe homologëve finlandezë, AKU-ja do të hyjë në një fazë transformimi të madh. Siguria ushqimore mbetet prioritet i punës së Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe gjithë institucioneve të tjera të varësisë. Me rëndësi të madhe këtu është edhe përfshirja e konsumatorëve, ndërgjegjësimi i tyre dhe angazhimi i përbashkët në sfidat me të cilat ndeshet sot siguria ushqimore, si një komponent i rëndësishëm edhe i sigurisë kombëtare.​{:}