Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Në lidhje me deklaratën e grupimit “Bashkë Fitojmë” nga z.Gjok Vuksani për planin kombëtar të mbetjeve të produkteve veterinare në kafshë të gjalla dhe produkte shtazore duam të informojmë konsumatorin shqiptar se Shqipëria aplikon një plan unik të njëjtë me vendet e Bashkimit Europian.

Mostrimi i produkteve që i nënshtrohen këtij plani përcaktohet me formulë të gatshme sipas direktivave të BE, e cila aplikohet në bazë të prodhimit kombëtar për produktet e mjaltit, vezëve, peshkut etj.

Në vitin 2022 kemi rritur numrin e kampionëve të cilët analizohen. Janë planifikuar 1958 kampione, 500 kampione më shumë se niveli minimal detyrim në planifikim mbi bazë të prodhimit vjetor për produktet bujqësore. Për këto 1958 kampione janë realizuar 3041 analiza, pra një mesatare 1.5 analiza për një kampion. Nga këto kanë rezultuar 59 raste mbi normë pra rreth 3% e totalit. Çdo rast jo konform është ndjekur bazuar në ligj nga strukturat përgjegjëse për të zbuluar hallkën e zinxhirit e cila ka nevojë të përmirësohet.

Zbatimi i planit kombëtar të mbetjeve kryhet sipas urdhërit të Ministrit së Bujqësisë me nr. 186 datë 29 mars 2023, plan i cili zbatohet duke konsideruar të gjithë rastet jo konform të vitit 2022. Qëllimi i këtij monitorimi është mbulimi i kontrollit të të gjithë zinxhirit ushqimor nga kafshët, tek farmacitë veterinare dhe deri te konsumatori final.

Në lidhje me përdorimin e pesticideve në produktet bujqësore dhe planin e tyre të monitorimit të mbetjeve, duam të bëjmë me dije opinionin publik se monitorimi i mbetjeve të pesticideve kryhet bazuar në planin me bazë risku për biznese dhe për kultura bujqësore, plan i hartuar me mbështetjen e ekspertizës më të mirë evropiane.

Me mbështetjen e projektit IPA për Sigurinë Ushqimore, dhe me ndryshimet ligjore të ndodhura, nga viti 2022 aplikohet dhe regjistri i përdorimit të produkteve të mbrojtjes së bimëve në fermë (fletorja e fermerit, e cila kontrollohet dhe në pikat e grumbullimit nga AKU).

Instrument ky i nisur nga Ministria e Bujqësisë e cila e ka prioritet sigurinë ushqimore nga ferma në tavolinë.

Në anën tjetër vetëm në vitin 2022, eksportet shqiptare të produkteve bujqësore arritën 242 mijë tonë drejt 80 shteteve.

Nga e gjithë kjo sasi, në sistemin alert RASFF (sistemi i njoftimit të menjëhershëm për ushqimin), të Bashkimit Europian, janë sinjalizuar vetëm 5 ngarkesa gjatë të gjithë vitit.

Dhe për më tepër pesticidi i konstatuar si mbetje në këto ngarkesa është përfshirë menjëherë në planin e monitorimit të këtij viti.

Siguria ushqimore është një proces në zhvillim i cili mbështetet në monitorim, ndjekje të rasteve jo konform dhe përmirësim të parametrave të ndryshëm.

Është e rëndësishme të mos bëjmë politikë mbi sigurinë ushqimore, duke përhapur panik për produktin bujqësor vendas, kur nuk është ky rasti, por të lejojmë strukturat që të bëjnë punën e tyre, me rigorozitet dhe në funksion vetëm të konsumatorit.

 {:}