Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Sektori i Shërbimit Veterinar të Qarkut të Durrësit në Drejtorinë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve Tiranë është njoftuar nga dy subjekte shpendrritëse se ka pasur probleme me disa shpendë. Menjëherë janë marrë masat për shqyrtimin e situatës në vend, gjurmimin, kampionimin zyrtar dhe dërgimin e tyre në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë. Fermat janë vendosur në karantinë deri në daljen e rezultateve laboratorike.

Deri më tani raportohen rreth 200 mijë shpendë të ngordhura. Janë kryer pranë ISUV analizat në bazë të mostrave të marra. Sipas të dhënave të deritanishme rezultatet tregojnë sëmundjen e Laringotrakeitit infektiv në shpendë. Është një sëmundje që prek kryesisht shpendët. Laringotrakeiti infektiv nuk është një sëmundje zoonotike dhe nuk transmetohet te njerëzit dhe as nëpërmjet produkteve ushqimore nga shpendët, për pasojë nuk përbën rrezik për shëndetin publik.

Është e rëndësishme të theksojmë dhe të sigurojmë konsumatorët se deri më tani nuk ka asnjë rast ku të jetë shfaqur influence aviare (gripi i shpendëve).

Në subjektet e tjera shpendrritëse për vezë e mish, në të gjithë territorin e vendit, AKVMB ka marrë masa të menjëhershme për parandalimin e përhapjes së sëmundueshmërisë dhe deri më tani nuk është raportuar asnjë rast.
{:}