Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Nafta falas/ Ekonomi për ATSH-në: Mbështetje për fermerët e vegjël, procesi fillon më 15 janar me aplikimet në e-Albania

 

Për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural, sfida e këtij viti është shpërndarja e naftës falas për të gjithë fermerët që kanë një NIPT.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi në një intervistë për ATSH-në, tha se “ky proces nis në 15 janar të këtij viti dhe MBZHR është në këmbë për ta bërë të mundur zbatimin me sukses të këtij premtimi, që ka marrë qeveria për fermerin”.

Ekonomi bëri të ditur se, “fermerët përfitojnë naftë falas sipas strukturës së mbjelles që kanë dhe mekanizimit që bëjnë në sipërfaqen e mbjellë me një kulturë të caktuar bujqësore”.

“Përfitojnë të gjitha kulturat me pëjashtim të sipërfaqeve të mbjella me ullinj”- tha ministrja.

Duke u ndalur në hapat që duhet të ndjekë një fermer për të aplikuar online për naftë falas, Ekonomi theksoi se “ne kemi një fat të madh që e- Albania është vënë në dispozicion të plotë të shërbimeve ndaj qytetarëve me administratën dhe në këtë vit të pandemisë, e-Albania tregoi se ishte ndihma më e madhe që iu dha bizneseve dhe qytetarëve”.

“Një fermer që ka NIPT dhe është regjistruar në tatime, aplikon nëpërmjet kartës personale dhe NIPT-it tek e-Albania. Aty ka një formular ku ai tregon pronësinë mbi tokën përmes certikfikatës së pronësisë apo një kontrate bashkëpumi bujqësor dhe tregon edhe për kulturën që ka mbjellë. Automatikisht programi që është ndërtuar nga MBZHR, i tregon sasinë e naftës që ai përfiton dhe i jep rezultatin final sipas mbjelljes që ka bërë, sezonin që do bëj mbjelljen dhe llojin e mekanikës që i duhet për atë kulturë bujqësore që kultivon”- u shpreh ministrja Ekonomi.

Sipas saj, në momentin që fermerit i del sasia e naftës përmes këtij aplikimit në e- Albania ai bëhet përfitues i një karte karburanti të cilën e merr tek Agjencitë Rajonale të Bujqësisë dhe me këtë kartë atij i falet një sasi nafte për parcelën që do mbjellë dhe këtë naftë ai e merr në çdo pikë karburanti.

Ky është një proces që do të menaxhohet nga MBZHR dhe Agjencitë Rajonale.

Ekonomi tha se, Ministria e Bujqësisë, do të ndihmojë pa kufizim të gjithë fermerit për të bërë aplikimin. Ajo shtoi se, tashmë fermerët nuk janë pa eksperiencë në procesin e aplikimit tek e-Albania që, sipas saj ,”këtë e tregoi viti që lamë pas me aplikimet me sukses të tyre, për të përfituar subvencion nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2020″.

Përmes portalit e-Albania aplikuan mbi 8 mijë fermerë në këtë skemë.

“Fermerët do të aplikojnë nga data 15 janar deri më 25 shkurt 2021, në portalin e-Albania për të përfituar naftë falas për bujqësinë. Ky është një proces i cili synon të ndihmojë fermerin deri 10 ha por padyshim që përfitojnë edhe ata me sipërfaqe mbi 10 ha. Por qëllimi është mbështetja e fermerëve të vegjël”- tha Ekonomi.

Për vitin 2021, buxheti i shtetit ka shtuar një fond prej 1 miliard lekë në ndihmë të fermerëve për heqjen e taksave të naftës për bujqësinë.

Nafta për fermerët nuk do të ketë më taksën e akcizës (37 lekë), taksën  e qarkullimit (27 lekë) dhe as taksën e ndikimit në mjedis (3 lekë).

Fermerët me NIPT marrin 1 litër naftë 54 % më lirë nga sa e merrnin më parë. Në total, për një litër naftë të përdorur për punime bujqësore, zbriten 67 lekë.

Lehtësimi nga barra fiskale i naftës që përdoret për bujqësinë është një lajm i mirë për mbi 70 mijë fermerë në të gjithë vendin, nga të cilët 47600 që kanë aktualisht NIPT-in e fermerit, janë automatikisht përfitues potencialë të skemës, ndërsa pjesa tjetër pritet të formalizohet brenda këtij viti.

Kjo politikë e re dëshmon edhe një herë vëmendjen e qeverisë për sektorin e bujqësisë, i cili ka një peshë të rëndësishme në ekonominë e vendit dhe është rritur vit pas viti falë lehtësive fiskale, mbështetjes financiare dhe politikave mbështetëse.{:}