Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural prezantoi në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë mbrëmjen e së enjtes projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin 105/2016 ‘Për Mbrojtjen e Bimëve”, i hartuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Ligji u miratua me 76 vota pro, 23 kundër dhe katër abstenime. Ndryshimet në ligj shkojnë në linjë me legjislacionin evropian, duke u përafruar me standardet e BE-së.  Gjatë fjalës së saj në Kuvend përpara votimit të projektligjit, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se “Ligji ka për qëllim të forcojë rregullat për mbrojtjen e bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera nga dëmtuesit, si dhe të parandalojë hyrjen dhe përhapjen e dëmtuesve të rregulluar karantinorë dhe jokarantinorë në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Ligji tashmë bën të mundur regjistrimin e operatorëve profesionistë dhe do të ndikojë pozitivisht në formalizimin e fermerit, hartimin e planeve kombëtare të kontrollit me bazë risk,  gjurmueshmërinë;  implementimin e “Pasaportës Bimore”, me zero kosto financiare, e cila lehtëson procedurat për fermerin dhe biznesin; përcaktimin e listës të dëmtuesve karantinorë dhe listës së dëmtuesve jokarantinorë, harmonizuar me listën e re të BE-së.

Për herë të parë parashikohet lista e agjentëve të Kontrollit Biologjik që lejohen të importohen dhe përdoren, duke ulur përdorimin e produkteve të mbrojtjes së bimëve. Agjentët e kontrollit biologjik kanë përdorim të gjerë në kontrollin e dëmtuesve në Bujqësinë Organike. I sqaruar më thjesht termi teknik “agjentët e Kontrollit Biologjik” do të thotë organizma të cilat luftojnë dëmtuesit e bimëve, një mënyrë biologjike, e cila në vendet e BE ka përdorim gjithmonë e më të gjerë, Në tërësinë e vet ky ligj i ri ka një efekt të drejtpërdrejtë në rritjen e eksporteve,  sigurisë ushqimore nga ferma në tavolinë, për garantimin e shëndetit publik dhe mbrojtjen e interesit të konsumatorit në përgjithësi.{:}