Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj priti sot në një takim Galit Peleg, ambasadore e Izraelit në Shqipëri.
Ministrja Denaj u shpreh se, në takim u diskutua për disa çështje të rëndësishme për bujqësinë, me potencial për bashkëpunimin Shqipëri-Izrael, siç është zhvillimi i teknologjisë, inovacioni dhe forcimi i kapaciteteve njerëzore sipas praktikave më të mira të prodhimit në bujqësi.

“Bujqësia është gjithmonë e më shumë një fushë ku dija më e përparuar luan edhe rolin më të rëndësishëm për zhvillimin. Do të vendosim në zbatim një program për trajnimin e ekspertëve të ministrisë, përmes agjencisë izraelite MASHAV (Agjencia për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar), që ka të bëjë me përcjelljen e njohurive për aplikimin e metodave novatore dhe teknologjive të larta në bujqësi”, theksoi ajo.

Ndërsa ambasadorja Peleg shprehu angazhimin për forcimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, ku konstatohet një interes në rritje i kompanive izraelite për të investuar në Shqipëri në sektorin e bujqësisë dhe agrobiznesit.
“Shqipëria dhe Izraeli kanë krijuar tashmë një bashkëpunim të vyer mes dy vendeve në fushën e bujqësisë e sidomos në teknologjinë e avancuar të serrave, ku Izraeli është një model suksesi”, tha ministrja.

“Ne mirëpresim një rol edhe më të përforcuar të biznesit izraelit në Shqipëri dhe forcimin e bashkëpunimit mes vendeve tona në të ardhmen, duke pasur në perspektivë nënshkrimin e marrëveshjeve ndërministrore në fushën e bujqësisë”, deklaroi Denaj.

{:}