Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ishte sot në Lushnje ku u takua me disa kultivues të rrushit për tavolinë.
“Në Lushnje, te Albi Rabija, Eno Shani, Olti dhe Flori Nushi, djemtë që kultivojnë rrushin për tavolinë në serra me çati, një metodë që përshtatet mjaft mirë me varietetet e zgjedhura, duke sjellë prodhim të qëndrueshëm, por edhe duke eliminuar dëmet nga reshjet e shiut”, u shpreh Denaj.
Ajo diskutoi së bashku me kryetaren e bashkisë së Lushnjes, Eriselda Sefa dhe deputetin e zonës Erion Braçe, ndërtimin e politikave të përbashkëta me qeverisjen vendore, për të nxitur bashkimin e fermerëve në njësi ekonomike dhe ndërtimin e ndërmarrjeve publike bujqësore, duke rritur asistencën teknike, ulur kostot e prodhimit dhe fuqizuar ekonominë e bujqve.
“Gjatë diskutimit me fermerët identifikuam disa nevoja të aktivitetit të tyre, të cilat do të punojmë për t’i dhënë zgjidhje me krijimin e lehtësirave fiskale me propozime konkrete në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, si përjashtimi i kostove fiskale për plastmasin e serrave të rrushit në veçanti”, theksoi Denaj.
Ministrja u ndal gjithashtu edhe në masat mbështetëse që ka marrë qeveria, për rritjen e aksesit në financim të fermerëve, përmes Fondit të Garancisë Sovrane dhe Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi.
“Një çështje po aq e rëndësishme u soll në vëmendje në lidhje me financimin e mekanikës bujqësore përmes Fondit të Garancisë Sovrane dhe subvencionet nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi. Qeveria shqiptare ka marrëveshje me bankat e nivelit të dytë pikërisht për të lehtësuar kreditimin, ulur kërkesën e garancisë, e cila ndikon drejtpërdrejt në uljen e kostove’, theksoi Denaj.
Ministrja shprehu besimin, që kreditimi për këto njësi të suksesshme sipërmarrjeje, të mundësohet në frymë të këtyre skemave të garancive, duke bërë pikësëpari informimin në kohë dhe në dije të të gjithë fermerëve.
Vreshtat në serra në qarkun e Lushnjës kanë shënuar prodhim të bollshëm këtë vit.
Mbi 11 mijë ha vreshta të shtrira në të gjithë territorin, kanë bërë të mundur që prodhimi vjetor i vreshtarisë në Shqipëri, përfshi edhe pjergullat, të arrijë rreth 190 mijë tonë rrush.
Ndërsa vitet e fundit ka filluar edhe kultivimi i rrushit të tavolinës në serra, që siguron hershmëri të prodhimit dhe rendiment të lartë.
Zonat kryesore të prodhimit të rrushit gjenden mes kodrave dhe bregdetit të Shqipërisë Qendrore. Fieri, Berati, Elbasani dhe Vlora, janë qarqet me përqindjen më të madhe të prodhimit; këto katër qarqe japin më shumë se gjysmën e prodhimit vendas të rrushit.
Rrushi i prodhuar në serra i cilësisë së parë shitet kryesisht në Kosovë, Kroaci, Rumani, Slloveni, Serbi, Mal të Zi.


{:}