Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, zhvilloi të premten një vizitë pune në Divjakë.
E shoqëruar nga deputeti i zonës Erion Braçe dhe kryetari i Bashkisë së Divjakës, Josif Gorrea, ministrja Denaj takoi fermerë të zonës që punojnë më bujqësi dhe diskutoi me ta mbi çështje të ndryshme, për mbarëvajtjen e prodhimit bujqësor.

Denaj vizitoi nga afër disa nga investimet e fermerëve në serra bujqësore, ku takoi, të rinj që janë angazhuar dhe punojnë në bujqësi.
“Kënaqësi të takoja Albin, Sokolin dhe Oltin, djem të rinj të angazhuar në bujqësi, ku në serrat e tyre kultivojnë speca, karrota, rrush dhe prodhime të tjera sipas sezonit”, u shpreh Denaj.
Gjatë bashkëbisedimit, djemtë shprehën se kanë vendosur të qëndrojnë në vendin e tyre dhe të zhvillojnë aktivitetin e bujqësisë në hapat e prindërve.
Të rinjtë me vizion të qartë për të ardhmen e tyre në bujqësi, synojnë përdorimin e metodave të reja dhe të teknologjisë bashkëkohore në serra, me qëllim rritjen e prodhimit bujqësor cilësor dhe të fitimeve ekonomike.

Ata kultivojnë në serra kryesisht perime si speca, domate, karrota dhe në sezonin e drimit perimet e stinës, për të cilat kanë përfituar nga skema e mbështetjes me naftë.
“Prodhimet nga serrat tona, shkojnë në tregje të ndryshme të vendit dhe për eksport”, thane ata.

Ministrja Denaj shprehu mbështetjen e qeverisë për zhvillimin rural dhe për të rinjtë që merren me bujqësi.
“Do të vijojmë mbështetjen tonë përmes politikave lehtësuese për fermerët, për të nxitur qëndrimin e të rinjve në zonat rurale. I mbështesim vazhdimisht të rinjtë në bujqësi me politikat tona për nxitjen e zhvillimit rural për afrimin e rinisë me fshatin dhe punën në bujqësi, blegtori dhe agroturizëm”, deklaroi Denaj.


{:}