Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Shqipëria dhe Italia synojnë të thellojnë bashkëpunimin në fushën e bujqësisë përmes krijimit të instrumenteve të reja për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe përfitimin e eksperiencës italiane në bujqësi dhe zhvillim rural.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj priti në një takim ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, me të cilin diskutoi çështje të bashkëpunimit dypalësh në fushën e bujqësisë, peshkimit dhe zhvillimit rural.

Ministrja Denaj e cilësoi një takim të frytshëm diskutimin me ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, ku fokus i veçantë iu kushtua zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit Shqipëri-Itali në sektorët e bujqësisë, peshkimit, përpunimit agro-ushqimor dhe në fushën e sigurisë ushqimore. “Ndamë eksperiencat më të mira në fushën e agroturizmit si dhe asistencës së qeverisë italiane në drejtim të përafrimit të legjislacionit me BE por edhe në procesin e anëtarësimit në tërësi”, u shpreh Denaj.

Ministrja Denaj tha se bashkë me ambasadorin Bucci vunë theksin në forcimin e marrëdhënies mes dy vendeve, drejt një faze të re bashkëpunimi të drejtuar nga vizioni i përbashkët për krijimin e instrumenteve të reja për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe përfitimin e eksperiencës italiane në bujqësi dhe zhvillim rural.

Italia është një partner strategjik i Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian dhe bashkëpunimin ekonomik.

Vitet e fundit autoritet shqiptare dhe italiane, intensifikuan ndjeshëm bashkëpunimin në spektrin e zhvillimit e rural mes dy vendeve , ku vemendje të shtuar mori mbështetja e Italisë për zgjerimin e eksporteve shqiptare të vajit të ullirit dhe verës. Gjithashtu Italia është një partnerët kryesorë që po asiston Shqipërinë në fushën e sigurisë ushqimore, për ngritjen e laboratorëve të akredituar sipas BE-së kontrollin ushqimor, teksa vijon bashkëpunimi me projektet e financuara nga qeveria e Italisë për Ekonominë Blu, që mbështet sektorin e peshkimit.


{:}