Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur se eksportet bujqësore shënuan rritje me 14.2 %, gjatë 9-mujorit të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas Denajt, prodhimet shqiptare po zgjerohen gjithnjë e më shumë në tregjet e huaja, duke pasqyruar rritjen në cilësi dhe fuqizimin e fermerëve në vend.
“Eksportet bujqësore vijojnë trendin rritës edhe gjatë periudhës janar-shtator 2023, referuar Raportit të tregtisë së jashtme nga INSTAT. Prodhimet shqiptare po zgjerohen gjithnjë e më shumë në tregjet e huaja, duke pasqyruar rritjen në cilësi dhe fuqizimin e fermerëve në vend”, deklaroi ajo.

Politikat dhe injektimi i mekanizmave mbështetës për zhvillimin rural të vendit po mbështesin rritjen e qëndrueshme të bujqësisë dhe po nxisin angazhimin e të rinjve në këtë sektor.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural krahas investimeve në vepra vaditëse dhe kullimi, në kushtet e krizës nga lufta në Ukrainë, përmes Skemës Kombëtare ka mbështetur me financim fermerët për uljen e kostove të prodhimit.

Treguesit në rritje të qëndrueshme të eksporteve bujqësore, janë fryt i rritjes së kapaciteteve prodhuese të fshatit. Mbështetur në treguesit statistikorë, bujqësia synon rritjen e shtyrë nga zgjerimi i sipërfaqeve të mbjella me perime, investimet në zinxhirin e magazinimit dhe eksportit, si dhe rritjes së kërkesës së jashtme për prodhimet shqiptare.
{:}