Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Në zonën e Divjakës dhe Lushnjes falë mbështetjes së qeverisë po zhvillohen disa sipërmarrje që zhvillojnë aktivitetin në sektorin bujqësor, të cilat janë të njohura dhe në tregun e huaj për produktet që eksportojnë.

Kryeministri Edi Rama i shoqërur nga zv/kryeministri Erjon Braçe, ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural Milva Ekonomi dhe kryetari i bashkisë së Divjakës Fredi Kokoneshi, gjatë vizitës së tyre në disa prej këtyre sipërmarrjeve theksuan se qeveria do të mbështesë me fonde të gjitha bizneset synojnë jo vetëm të zgjerohen, por edhe të shtojnë gamën e produkteve në këtë fushë ku potenciali i vendit është i madh.

Një prej këtyre kompanive është kompania “Albaseed”, e cila prodhon për herë të parë në Shqipëri plehun kristalin nën logon Made in Albania. Kjo kompani nuk sjell vetëm imputet bujqësore dhe farëra, por të gjithë kultivarët e domateve dhe perimeve i prodhon dhe i impelementon vetë fillimisht në serat e saj eksperimentale që janë të shtrira në të gjithë vendin.

“Kemi baza eksperimentale në të gjithë Shqipërinë, në fshatrat e Beratit, Fierit, Shkodrës, që bëjmë të njëjtën punë siç e bëjmë dhe këtu me bazën tonë eksperimentale. Edhe heqja e TVSH-së së imputeve dhe e skema mbështetjes me naftën falas ishte shumë pozitive. Kur erdhëm këtu, kjo zonë mbillej me jonxhë dhe grurë, tani është e gjitha me shalqi dhe perime”,-tha administratori i kompanisë “Albaseed”.

Vizita e dytë u krye në kompaninë “Alba Agro”, një sipërmarrje e 3 vëllezërve Gjeka, të cilët po e zgjerojnë fuqishëm aktivitetin e tyre me teknologjinë më të fundit, duke përfituar edhe nga heqja e TVSh mbi importin e makinerive e pajisjeve.

“Janë mbështetur me heqjen e TVSH-së së makinerive dhe pajisjeve, ndërkohë duan ta shtojnë investimin dhe për këtë po bëhen gati për një tjetër aplikim”, – u shpreh ministrja Ekonomi.

Ndërsa në kompleksin më të madh të serave për kultivimin e fidanëve në Ballkanin Perëndimor, falë pasionit po edhe falë mbështetjes së AZHBR, në një sipërfaqe prej 3.6 hektarësh, prodhohen çdo vit mbi 15 milionë fidanë.

Kjo serë xhami me teknologji moderne nga Hollanda, furnizon me fidanë jo vetëm tregun vendas por edhe tregun e huaj. Për zgjerimin e saj, “Lisar Seedlings” është mbështetur edhe nga programi IPARD, që financohet me fondet e BE dhe qeverisë shqiptare. Josifi, dikur mësues anglishteje sot është një sipërmarrës i suksesshëm i cili po vijon me projektet e tij ambicioze sic është ndërtimi i serrës eksperimentale me fondet e AZHBR. Ai u shpreh optimist për rezultatet e deritanishme ku shifrat janë trefishuar.

Kryeministri Rama dhe Ministrja Ekonomi thanë se ambicia për t’i çuar eksportet bujqësore në mbi 1 miliardë € bazohet pikërisht tek rritja e zgjerimi i vazhdueshëm i modeleve të tilla të suksesit.