Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Është nënshkruar sot gjatë një ceremonie online mes Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe FAO, marrëveshja e projektit  “Mbështetje Për rimëkëmbjen pas tërmetit përmes fondeve të UN SDG ACCELERATION FUND (Fondi i Përshpejtimit të Objektivave të Qëndrueshme”. Marrëveshja u firmos nga ministrja Milva Ekonomi dhe drejtori rajonal i FAO Raimund Jehle ndërsa në takim merrte pjesë dhe përfaqësues të UN e FAO dhe drejtori i FAO në Shqipëri Arben Kipi.

Gjatë fjalës së saj Ministrja Ekonomi falenderoi Kombet e Bashkuara (OKB) si dhe zyrën e FAO për kontributin e saj  në vlerësimin e shpejtë të nevojave në bujqësi pas tërmetit të 26 nëntorit. Gjithashtu falenderoi mbështetjen e  Hollandës dhe Mbretërisë së Bashkuar për fondet e akorduara për këtë projekt.

“Në vijim të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes dy institucioneve tona gjate vitit 2019-2020, FAO ka dhënë kontributin e saj për hartimin e një projekti specifik në lidhje me mbështetjen e fermerëve të prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, një situatë e vështirë me pasoja socio-ekonomike për fermerët”, tha ministrja Ekonomi.

Ndër të tjera ministrja Ekonomi theksoi se MBZHR ka krijuar mekanizma mbështetëse për përfitimet dhe vlerat që sjell puna e fermerëve, me qëllim zhvillimin e zonave rurale dhe forcimin ekonomik të tyre në mënyrë të qëndrueshme.

“Duhet theksuar se mbështetja për rimëkëmbjen nga tërmeti konsiderohet si domosdoshmëri për zhvillimin e qëndrueshëm rural, përmirësim të jetesës së komuniteteve në bujqësi të prekura nga tërmeti. Zbatimi i projektit është fazë e rëndësishme, që konsiston në tërësinë e aktiviteteve që duhen marrë për të zbatuar planin, dhe në fund të fundit për të arritur rezultatet e vendosura”, u shpreh ajo.

Drejtori rajonal i FAO Rajmond Jehle ka falenderuar ministrinë e Bujqësisë për frymën e bashkëpunimit ndër vite. Përfaqësuesi i FAO tha se do të vijohet të punohet ngushtësisht me MBZHR për zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm në ndihmë të fermerëve.

Marrëveshja e sotme me vlerë 578,847 $ synon të forcojë kapacitetet e fermerëve për të përballuar fatkeqësi të tjera natyrore.

[metaslider id=”18996″]{:}