Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimi Rural, Milva Ekonomi u takua sot me ambasadoren e  Mbretërisë së Holandës në vendin tonë znj.Guusje Korthals Altes.

Në takimin zyrtar të zhvilluar në ambientet e MBZHR-së, ministrja Ekonomi dhe ambasadorja holandeze znj.Guusje Korthals Altes diskutuan për mundësi të reja bashkëpunimi në të ardhmen.

Ministrja Ekonomi falenderoi ambasadoren  znj.Guusje Korthals Altes për mbështetjen financiare të qeverisë holandeze në projektin  “Mbështetje Për rimëkëmbjen pas tërmetit përmes fondeve të UN SDG ACCELERATION FUND (Fondi i Përshpejtimit të Objektivave të Qëndrueshme”

Ministrja Ekonomi  vlerësoi të suksesshme bashkëpunimet në të shkuarën, mes MBZHR-së dhe Agjencisë së Zhvillimit Holandez (SNV), për ndryshimet që sollën në kulturën e fermës rurale.

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës znj. Guusje Korthals Altes u shpreh se një mundësi bashëpunimi ku mund të fokusohen projektet dypalëshe, është fuqizimi i shoqërisë civile, ku rol të vecantë merr fuqizimi i gruas, sidomos gruaja rurale.

Gjithashtu, ambasadorja holandeze znj. Guusje Korthals Altes, përmendi dhe mundësinë e bashkëpunimit në fushën akademike, fuqizimin e biznesit etj.

Ministria e Bujqësisë kërkoi angazhim nga pala holandeze për projektet që lidhen me zinxhirin e vlerës në fermat e vogla blegtorale si dhe inovacionin në menaxhimin e  sistemeve të mbrojtjes nga përmbytjet.

Në fokusin e projekteve të reja me Mbretërinë e Holandës, u diskutua për forcimin e rolit të gruas rurale, krijimin e rrjeteve të modelit rreth projekteve ekzistuese në këtë fushë. Një tjetër fushë bashkëpunimi shihen dhe fermat e vogla që prodhojnë në sektorin e blegtorisë.

Në takim u diskutua dhe për një mundësi të shtrirjes në disa zona të modelit të aplikuar në  partneritet me një kompani përpunimi qumështi, për fermat e vogla blegtorale. Nga ky projekt përfitojnë fermerë të zonave,  të cilët rrisin të ardhurat e tyre falë  përmirësimit të standardeve të sigurisë, higjienës dhe cilësisë së prodhimeve.

Gjithashtu u bisedua dhe për mundësinë e bashkëpunimit në fushën e kërkimit shkencor për sistemin e digave dhe të kanalizimeve, por dhe kërkime në fusha të tjera sektoriale.

Në fokus të takimit ishte dhe pjesëmarrja e Shqipërisë në panairet e zhvilluara në Holandë. Të dyja palët diskutuan për takime të mundshme mes përfaqësuesve të bizneseve mes dy vendeve për shkëmbimin e eksperiencave në fushën e bujqësisë.{:}