Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

“Ushqim i sigurt sot, për një të nesërme të shëndetshme” është tematika e këtij viti në ditën që i kushtohet “Ditës Botërore të Sigurisë Ushqimore”. Në ditën botërore të Sigurisë Ushqimore, ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, vizitoi Institutin e Sigurise Ushqimore dhe Veterinarise. Gjatë vizitës ajo zhvilloi një bashkëbisedim me drejtues të institucioneve përgjegjëse për sigurinë ushqimore, Armand Reveli drejtor i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, (ISUV) dhe nën drejtoreshen Jonida Boci, drejtorin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, (AKU), Bledar Skënderi, dhe drejtoreshën e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve AKVMB, Tana Kika.

Në fjalën e saj, ministrja Ekonomi vlerësoi punën e kryer në laboratorët e Institutit të Sigurisë Ushqimore të cilët janë të çertifikuar sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
“Të gjtha llojet e analizave që kryhen këtu në ISUV tregojnë se ne kemi një vëmendje të rritur për çdo produkt, që konsumohet brenda vendit apo eksportohet”, u shpreh ministrja e Bujqësisë Milva Ekonomi.
Ministrja Ekonomi vlerësoi bashkëpunimin midis institucioneve të linjës, ISUV-AKU-AVMB, të cilët janë pranë konsumatorit në çdo moment.

Ajo theksoi gjithashtu nevojën për të bashkëpunuar me institucionet e kërkimit shkencor me qëllim që të përafrohen me legjislacionin evropian.

“Sa më shumë shtohen përpjekjet e këtyre tre institucioneve për t’u përafruar me Bashkimin Evropian, aq më shumë shtohet nevoja për staf të specializuar. Këto institucione kanë bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës, për të përgatitur dokumentet e referencës dhe për të bërë një kërkim shkencor sa më të mirë në vend”, tha ministrja Ekonomi.

Në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, në Departamentin e Shëndetit të Kafshëve, implementohen të gjitha Programet Kombëtare, survejancat, strategjitë të cilat shërbejnë për njohjen e situatës epidemiologjike në vend dhe marrjen e masave nga AKVMB për parandalimin e shpërthimit të sëmundjeve, uljen e incidencës dhe prevalencës së sëmundjeve të cilat kanë impakt në shendetin publik.

Këto masa shërbejnë për sigurimin e rritjen e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve në fermë.
Ndërsa në departamentin e Mbrojtjes dhe shëndetit të bimëve implementohen planet e monitorimit dhe plani i bazuar në vlerësim rrisku për kontrollin e mbetjeve të pesticideve në fruta-perime, në mënyrë që tregu vendas dhe ai i huaj të përmbajë produkte sa më të sigurta në treg.

Gjithashtu në ISUV bëhet kontrolli i të gjitha produkteve dhe nënprodukteve ushqimore me origjinë shtazore dhe ujore në kuadër të kontrolleve zyrtare për konsum të brendshëm dhe kontrolleve zyrtare për eksport të cilat lidhen direkt me rritjen e sigurisë ushqimore.

Laboratoret e ISUV si laboratorë eference janë të akredituar si kusht për besueshmërinë në rritjen për sigurinë ushqimore.
Dita Botërore e Sigurisë Ushqimore (WFSD) në 7 Qershor 2021 synon të tërheqë vëmendjen dhe të frymëzojë veprime për të ndihmuar në parandalimin, zbulimin dhe menaxhimin e rreziqeve që vijnë nga ushqimi, duke kontribuar në sigurinë ushqimore, shëndetin e njeriut, prosperitetin ekonomik, bujqësinë, aksesin në treg, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.{:}