Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

INFO E PËRGJITHSHME
(Përshkrimi, baza ligjore, fusha e veprimit, struktura, funksionet, organizimi)

“LEADER” është metoda për përfshirjen e partnerëve vendorë në drejtimin e zhvillimit të ardhshëm të zonave rurale, mobilizimin dhe arritjet e zhvillimit territorial në komunitetet rurale lokale në përputhje me këto kritere: e fokusuar në zona të veçanta rajonale; e udhëhequr nga grupe vendore të veprimit të përbërë nga përfaqësues të interesave lokalë socio-ekonomikë, publikë dhe privatë; e kryer përmes strategjive të zhvillimit lokal të integruara dhe shumësektoriale, të bazuara në zona; e përshtatur për të marrë në konsideratë nevoja dhe potenciale lokale dhe që përfshin karakteristika inovative në kontekst, rrjet dhe, kur është e përshtatshme, bashkëpunim lokal.
Qasja “LEADER” vihet në jetë nga “Grup vendor i veprimit” (GVV) i një zone LEADER.

“Zona “LEADER”” është një zonë rurale që përcakton kufijtë brenda të cilëve hartohet dhe zbatohet një strategji e veçantë e zhvillimit lokal e udhëhequr nga komuniteti.

PËRSHKRIMI
“Grup vendor i veprimit” GVV është një organizatë jofitimprurëse me bazë partneriteti, e përbërë nga përfaqësues të interesave lokalë socio-ekonomikë, publikë dhe privatë, në të cilën në nivelin e vendimmarrjes asnjë autoritet publik ose grup interesi nuk përfaqëson më shumë se 49% të të drejtave të votes.

BAZA LIGJORE
Ligji 36/2022 per “Organizimin dhe funksionimin e GVV”, Udhëzim Nr.13, date 25.07.2022 (kliko këtu) si dhe Urdher Nr.350 (kliko këtu), date 25.07.2022 (kliko këtu)

FUSHA E VEPRIMIT TË GVV-SË
Fusha e veprimit të GVV-së është mbështetja e rritjes ekonomike, sociale dhe kulturore të komuniteteve të zonës “LEADER” përmes rritjes së vlerave të burimeve lokale dhe aseteve, përmes hartimit dhe zbatimit të strategjisë së zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti.

Për këtë qëllim GVV-ja zhvillon e promovon lloje të ndryshme aktivitetesh, të tilla si:

  • pjesëmarrja në nisma rajonale,
  • kombëtare dhe ndërkombëtare për financimin e iniciativave/projekteve të qëndrueshme;
  • pjesëmarrja në rrjete kombëtare dhe ndërkombëtare, shoqata ose institucione, veprimtaria e të cilave ndjek objektiva të ngjashëm;
  • promovimi i iniciativave të komunikimit, bashkëpunimit në rrjet dhe projekteve të bashkëpunimit, që kanë si qëllim promovimin e
  • marrëdhënieve fitimprurëse ndërmjet aktorëve lokalë me territore dhe institucione të tjera;
  • ofrimi i informacioneve, mbështetja teknike dhe trajnimi i promotorëve lokalë potencialë të projekteve;
  • administrimi dhe menaxhimi i aseteve.

STRUKTURA E GVV-SË
1. GVV-të krijohen dhe funksionojnë si organizata jofitimprurëse me anëtarësi sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizatat jofitimprurëse.
2. Në përputhje me parimin e barazisë gjinore dhe kërkesat e këtij ligji, një GVV regjistrohet vetëm nëse struktura e tij organizative ka në përbërje të paktën këto organe të brendshme:

  • Asamblenë e Përgjithshme;
  • Bordin ekzekutiv;
  • Personelin, që do të përfshijë të paktën:

i) drejtorin ekzekutiv, i cili zgjidhet midis anëtarëve të bordit ekzekutiv nga vetë bordi, me propozim të presidentit;
ii) ekspertin kontabël.

Asambleja e Përgjithshme e GVV-së është organi më i lartë vendimmarrës në të cilin të gjithë anëtarët e GVV-së thirren në mbledhje të paktën 1 herë në vit dhe është përgjegjëse për zgjedhjen e bordit dhe të presidentit nga radhët e anëtarëve të GVV-së. Këto zgjedhje duhet të ndjekin parimin e partneritetit, të barazisë territoriale, barazisë gjinore dhe të moshës.
Funksionet e Asamblesë së Përgjithshme përcaktohen në statutin e GVV-së në përputhje me dispozitat e ligjit Ligji 36/2022 per “Organizimin dhe funksionimin e GVV” (kliko këtu).

Bordi i GVV-së është organi më i lartë ekzekutiv, ku përfaqësohen të gjithë partnerët e zonës “LEADER”, të propozuar nga secila tipologji partnerësh, sipas parimit të partneritetit.

Funksionet dhe përgjegjësitë e bordit të GVV-së. Bordi i GVV-së është përgjegjës për vendimmarrjen e përditshme të GVV-së dhe për funksionimin ligjor dhe financiar të tij, për autorizimin e kostove operative, të cilat në çdo rast nuk mund të kalojnë 25% të shpenzimeve të fondeve publike të kryera në kuadër të strategjisë së zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti.

Presidenti i GVV-së drejton mbledhjet e bordit. Të gjithë anëtarët e bordit duhet të firmosin një deklaratë konfidencialiteti për informacionet me të cilat njihen në pozicionet e tyre gjatë procesit të vendimmarrjes.

Bordi mund të ngrejë nënkomitete për të përgatitur dhe vlerësuar materialet që do të paraqiten për vendimmarrjen e bordit, të tilla si: nënkomitete bashkëpunimi, vlerësimi dhe monitorim projektesh.

Personeli i GVV-së mund të përfshijë këshilltarë/koordinatorë projektesh, këshilltarë/koordinatorë komuniteti, këshilltarë/koordinatorë biznesi, asistentë zyre etj., nëse konsiderohet e nevojshme.

Bordi i GVV-së duhet të sigurojë:
a) një strukturë me pjesëmarrjen e anëtarëve me moshë të ndryshme, pjesëmarrjen e grave etj. Bordi duhet të përfshijë:

  • të paktën 2 gra;
  • të paktën 2 persona nën moshën 35 vjeç;

b) të gjithë anëtarët e bordit duhet të jenë rezidentë në territorin e GVV-së

FUNKSIONET E GVV-SË
GVV-ja duhet që të regjistrohet sipas ligjit 36/2022 (kliko këtu) harton dhe miraton strategjinë e zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti për zonën “LEADER” përkatëse, sipas modelit të përcaktuar me udhëzim të ministrit (kliko këtu).
Gjatë zbatimit të strategjisë së zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti, GVV-ja duhet të jetë në gjendje të kryejë këto funksione:
a) të krijojë kapacitetet e aktorëve lokalë, që përfshin përfituesit e mundshëm për të zhvilluar dhe zbatuar masa/aktivitete që përfshijnë fuqizimin e kapaciteteve të tyre të hartimit dhe menaxhimit të projekteve;
b) të hartojë një procedurë përzgjedhjeje jodiskriminuese dhe transparente, e cila shmang konfliktet e interesit dhe siguron që të paktën 50% e votave në vendimet e përzgjedhjes janë nga partnerë që nuk janë autoritete publike dhe lejon përzgjedhjen me procedurë të shkruar;
c) të hartojë dhe miratojë kritere objektive jodiskriminuese për përzgjedhjen e masave/aktiviteteve që sigurojnë koherencë me strategjinë e zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti, duke i prioritizuar ato masa/aktivitete në bazë të kontributit që ato japin në arritjen e objektivave të asaj strategjie (kliko këtu);
ç) të përgatisë dhe të publikojë kërkesa për propozime ose një procedurë të vazhdueshme të paraqitjes së projekteve;
d) të marrë dhe të vlerësojë kërkesën për mbështetje;
dh) të përzgjedhë projektet dhe të përcaktojë masën e mbështetjes dhe, kur është e zbatueshme, të paraqesë propozime tek organi përgjegjës për verifikimin final të të drejtave, para miratimit;
e) të monitorojë dhe të zbatojë strategji dhe projekte të zhvillimit lokal të udhëhequra nga komuniteti, si dhe të kryejë aktivitete specifike vlerësimi që lidhen me atë strategji;
ë) të gjallërojë strategjinë e zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti për të mundësuar shkëmbime ndërmjet aktorëve për sigurimin e informacionit dhe promovimin e strategjisë dhe të mbështesë përfituesit potencialë, duke synuar zhvillimin e projekteve dhe përgatitjen e kërkesave.
Gjatë zbatimit të strategjisë së zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti, GVV-ja duhet të ketë burime njerëzore të mjaftueshme dhe kompetente, veçanërisht për plotësimin e funksioneve të mëposhtme:
a) gjallërimin lokal;
b) menaxhimin administrativ dhe financiar;
c) sisteme të zbatimit dhe realizimit të objektivave të strategjisë.

ORGANIZIMI I GVV-SË
Gjatë realizimit të misionit të tij publik, aktivitetet e GVV-së, që financohen nga fonde publike, kryhen në përputhje me parimet e një prokurimi publik efektiv, transparent e llogaridhënës dhe me parimet e menaxhimit të qëndrueshëm financiar, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për prokurimin public (kliko këtu), menaxhimin dhe kontrollin financiar.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin dhe kontrollin financiar, Asambleja e Përgjithshme e GVV-së miraton një rregullore të brendshme, që përcakton procedurat e funksionimit të GVV-së, me qëllim garantimin e transparencës dhe llogaridhënies në procesin e vendimmarrjes dhe në menaxhimin teknik dhe administrativ të aktiviteteve.
Rregullorja e brendshme duhet të rregullojë të paktën këto çështje:
a) zbatimin e parimit të partneritetit;
b) zbatimin e parimit nga poshtë-lart;
c) zbatimin e parimit të rrjetëzimit dhe të bashkëpunimit;
ç) organizimin e strukturës operacionale (stafit);
d) menaxhimin e burimeve njerëzore;
dh) prokurimin e mallrave dhe të shërbimeve;
e) hartimin dhe zbatimin e strategjisë së zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti;
ë) konfliktin e interesit