Ministry of Agriculture and Rural Development

Konferencën e nivelit të lartë mbi peshkimin dhe akuakulturën që u zhvillua në Maltë, solli një hap më pranë, sfidat e së ardhmes ku qëndrueshmëria mjedisore, ekonomike dhe sociale, do të nxisin zhvillimin e sektorit në Mesdhe.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin zv. ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo në cilësinë e Presidentit të Komisionit të Përgjithshëm të Peshkimit për Mesdheun, (GFCM) dhe Arian Palluqi, këshilltar i ministrit si përfaqësues i MBZHR, teksa eventi MedFish4Ever, mblodhi së bashku zyrtarë të nivelit të lartë nga 20 vende, gjithashtu peshkatarë, fermerë peshku, shkencëtarë, menaxherë, organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë të tjerë për të vëzhguar gjendjen e sektorit vital të peshkimit dhe akuakulturës dhe për të rënë dakord për veprime të reja transformuese drejt një të ardhmeje të qëndrueshme.

Veprimtaria, e organizuar nga Qeveria e Maltës dhe e organizuar nga Komisioni i Përgjithshëm i Peshkimit për Mesdheun (GFCM) së bashku me Bashkimin Evropian, u fokusua në progresin që është bërë dhe nevojën për zgjidhje të reja për të adresuar sfidat që janë shfaqur që nga koha e nënshkrimit të Deklaratës Ministrore të MedFish4Ever 2017.

Kristo tha se, “deklarata “MedFish4Ever” u nënshkrua nga qeveria shqiptare në 2017 dhe ka qenë një gur themeli për të vepruar në nivele të ndryshme”.

Zv.ministri vuri në dukje se, në nivel kombëtar, Shqipëria ka vënë në lëvizje reforma ambicioze, ligjërisht dhe teknikisht, duke përditësuar ligjet dhe rregulloret tona për peshkimin, duke i përafruar ato me rekomandimet e GFCM siç parashikohet në deklaratë.

Kristo bëri të ditur se, në dritën e kësaj, gjatë sesionit më të fundit të Komitetit të Përputhshmërisë te GFCM, në maj 2023, Shqipëria u promovua nga kategoria 2 e përputhshmërisë në kategorinë 1 të përputhshmërisë.

“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të vijojë bashkëpunimin e mirë në kuadër të kësaj deklaratë, për të siguruar zhvillimin e sektorit të peshkimit dhe akuakulturës së qëndrueshme në vendin tonë”, deklaroi zv.ministri, teksa e cilësoi marrëveshjen rajonale të një rëndësie të veçantë vendeve mesdhetare, që vendos një vizion dhjetëvjeçar drejt qëndrueshmërisë dhe mirëqenies së sektorit të peshkimit dhe akuakulturës, si dhe ruajtjen e ekosistemeve të çmuara detare mesdhetare dhe shërbimeve që ato ofrojnë.

{:}