Ministry of Agriculture and Rural Development

“Jeta buron nga fshati”, ishte tema që shoqëroi Parlamentin Rural, që u mbajt përgjatë tre ditëve në Universitetin Bujqësor të Tiranës, të cilin e përshëndeti zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari.

Jaullari tha se mbështetja e qeverisë për zhvillimin rural ka qenë në fokus kryesor ku është synuar rritja e konkurrueshmërisë mes fermave, mbështetja e të rinjve për t’u angazhuar me bujqësi, shtimi i eksportit dhe agropërpunimit.

“Këto ditë të parlamentit rural, ishin reflektim i përbashkët rreth problematikave dhe mundësive të zhvillimit të nesërm të zonave rurale”, u shpreh ai.
Zv.ministri i ftoi të gjithë pjesëmarrësit që nëpërmjet këtij procesi diskutimi të vijnë me propozime konkrete, për një zhvillim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm të zonave rurale.
“Parlament Rural” iniciativë e aktorëve që operojnë në sektorin e bujqësisë, konsiderohet si një nga instrumentet për të mbështetur idenë evropiane në zhvillimin rural, ekonomik dhe social në zonat rurale të vendit.

Ai synon mbështetjen në partneritetin publik-privat, sensibilizimin dhe përfshirjen e çdo qytetari në planet e zhvillimit të Grupeve Lokale të Veprimit (GLV), bashkëpunimin dhe rrjetëzimin mes aktorëve, përfshirjen e grave dhe të rinjve dhe mbështetjen në ndërveprim mes qeverisjes vendore, sipërmarrjes ekonomike dhe shoqërisë civile, që e kthejnë këtë sipërmarrje në një projekt të zhvillimit të qëndrueshëm.

{:}