Ministry of Agriculture and Rural Development

Teknologjia dhe inovacioni në bujqësi janë një nga sfidat dhe vizion i qartë për ministren Frida Krifca. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në zbatim të politikave dhe qëllimeve të qeverisë shqiptare, dhe në vizionin e saj për një bujqësi inovatore dhe europiane, ka shtuar përpjekjet për ta bërë bujqësinë në vend më produktive dhe konkurruese. Përveç digjitalizimit dhe informimit, zhvillimi bashkëkohor i bujqësisë kërkon teknologji të reja dhe për këtë janë hedhur hapa konkretë. Krifca ka takuar një djalë të ri, që e kemi “pagëzuar” si “Arbri i dronit të bujqësisë”. Arbër Bamllari, një matematikan i ri, kthyer nga studimet në Angli, ka ngritur kompaninë e tij teknologjike në Shqipëri fokusuar në përdorimin e dronëve dhe inteligjencës artificiale në shërbim të bujqësisë, shëndetit të tokës dhe të bimëve, ku me anë të kamerave multispektrale ndërton modele efektive për mbjelljet, parandalimin e sëmundjeve, humbjet sezonale prej motit dhe monitorimin e proceseve, duke shfrytëzuar me efikasitet burimet ujore dhe nivelet ushqyese të kulturave bujqësore, duke reduktuar kostot dhe rritur produktivitetin. Sipas Arbrit, bujqësia është një nga sektorët kyç të përfitimit të shërbimeve të tilla teknologjike. Ai po punon me agronomët tanë për t’i kuptuar më mirë nevojat e territorit dhe për t’u ardhur në ndihmë kërkesave të prodhuesve.{:}