Ministry of Agriculture and Rural Development

Shqipëria ka realizuar me sukses 3 thirrjet për aplikime për fondet e programit IPARD II, duke marrë besimin e financuesit të këtij programi, Bashkimit Evropian dhe për 4 masat. Kështu u shpreh ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi gjatë takimit të 6-të të Komitetit të Monitorimit të Programit IPARD-II 2004-2020, i zhvilluar online, me pjesëmarrjen e drejtuesit të programit IPARD z.Marius Lasdinis, z.Zigo Rutkos TAS Menaxher i DG Agri për Shqipërinë, dhe z.Mario Mariani, drejtuesi i zyrës së Kooperimit pranë Delegacionit të BE-së në Tiranë.

Ekonomi e konsideroi takimin si një hap shumë i rëndësishëm për zbatimin e programit IPARD II. Në kuadër të rrugëtimit për hyrjen e Shqipërisë në familjen Evropiane, njëprej sfidave të rëndësishme, është modernizimi dhe futja e teknologjive të reja për përmisimin e produktivitetit dhe rritjen e standarteve.

Ministrja Ekonomi tha se bujqësia vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm duke kontribuar me 18,5% ne PBB dhe e angazhuar 36,4% te fuqise punetore. Sipas saj, ky sektor kontribuon në rritjen ekonomike te kompanitë e vogla dhe të mesme ku shumë prej tyre janë të lidhura ngushtë me bujqësinë si në proceset e furnizimit me lëndë të parë ashtu edhe me shitjet e produkteve të përpunuara.

“Qëllimi i këtyre masave mbështetëse është për të bërë më terheqës vetë profesionin e fermerit dhe agro-përpunuesit:, u shpreh ministrja Ekonomi.

Ekonomi vlerësoi mbështetjen që po jep programi IPARD II edhe fermerëve të rinj, kryesisht gjeneratat e reja për të mos u larguar nga zonat rurale, duke harmonizuar teknikat e reja dhe idetë inovative, të cilat çojnë në rritjen e konkurueshmërisë së produkteve bujqësore për të ardhmen e vendit.

“Ashtu siç dhe jeni informuar, statusi i aplikimeve të deritanishme ka qenë i kënaqshëm për 3 thirrjet për aplikime ku janë dorëzuar në total 1057 aplikime me kërkesë totale për grant në vlerën prej rreth 222.5 mln euro.

Deri tani janë nënshkruar 309 kontrata, me një vlerë totale investimi prej 118 Mln euro dhe vlerë granti prej 59 mln Euro.

Për dy thirrjet e para janë paguar 150 investime të përfunduara me vlerë mbi 18 mln euro.
Ne jemi të fokusuar drejt rezultatit, ku ecuri të kënaqshme dhe aplikime më të shumta ka patur në rajonin e Fierit, Korçës, Tiranës, Durrësit dhe Beratit, rezultate pozitive të cilat kanë filluar të ndjehen dhe që tregojnë kërkesën dhe potencialin e madh që ka bujqësia dhe zonat rurale shqiptare për investime”, tha Ekonomi.

Ministrja e MBZHR Milva Ekonomi theksoi angazhimin maksimal të MBZHR dhe të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë proces për zbatimin me sukses të këtij programi.
Ekonomi informoi të pranishmit në takim se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, është në procesin e hartimit të dy dokumentave kryesorë për vitet 2021-2027, të tilla si: Strategjia e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Programi IPARD III.

Sipas saj, lidhur me masat e reja për Programin IPARD III (2021-2027), Autoriteti Menaxhues së bashku me Agjencinë e Pagesave janë në procesin e finalizimit të 9 masave që do të jënë pjesë kryesore e këtij programi, nga të cilat 5 masa janë masa të reja.

Ministrja Ekonomi tha se buxheti i përgjithshëm për këtë program është 112 Mln Eur, vetëm Kontribut i BE-së, me një rritje mesatare vjetore prej 20% në mbështetje të shtimit të stafit dhe aftësimit në të dyja agjencitë, për të patur një IPARD III të suksesshëm.

Ekonomi informoi pjesëmarrësit në takim se përsa i përket Trupave Teknik, është në fuqi dhe Urdhëri i Kryeministrit i cili ka të përcaktuar qartë detyrat që ata të marrin masa për përmbushjen në afat të detyrimeve për verifikimin e përmbushjes së kritereve dhe standardeve kombëtare dhe atyre të BE-së, sa i përket implementimit të programit IPARD II (2014-2020), si edhe janë parashikuar trajnime specifike për azhornimin e tyre me standartet e fundit si Kombëtare dhe Europiane.

‘Në përfundim dua të siguroj edhe njëherë për angazhimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe vëmendjen e gjithë aktorëve të përfshirë në këtë proces për zbatimin me sukses të këtij programi, pasi mbetet një nga ato mundësi që nuk të vjen shpesh dhe ne duam ta shfrytëzojmë deri në fund, duke bërë më të mirën për sektorin bujqësor dhe zonat rurale’, tha ministrja Ekonomi.{:}