Ministry of Agriculture and Rural Development

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim në ngushtë me Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Ministrinë e Arsimit, rinisi programin e doktoraturave për studentët ekselentë, të pezulluar prej disa vitesh. Me mbështetjen e Qeverisë Gjermane përmes GIZ, Universiteti Bujqësor i Tiranës do të ofrojë një program të përbashkët me universitetet e mirënjohura në Europë, nga i cili do të përfitojnë 30 studentë ekselentë dhe profesionistë të rinj në bujqësi. Fjalën e mirëpritjes e mbajti Prof. Fatbardh Sallaku, Rektor i Universiteti Bujqësor të Tiranës.
Në fjalën e saj, ministrja Krifca, duke komentuar marrëdhënien e ngushtë me UBT në plotësimin e misionit të saj për zhvillimin e bujqësisë në funskion të ekonomisë së vendit , u shpreh se “Arsyeja përse ne kërkuam që fondi të vihet në dispozicion të studentëve të ekselencës në doktoratë të UBT, është se e ardhmja e bujqësisë shqiptare është bujqësia e dijes, e novacionit teknologjik dhe e aplikimit të të rejave shkencore. Ky vizion nuk mund të arrihet pa mbështetjen midis të tjerave të këtij grupi entuziast kërkuesish, të cilët duan që punën e tyre ta kenë cilësisht të krahasueshme me atë që zhvillojnë kolegët e tyre në universitetet Hohenhaim, Shtutgart, Gissen, Humbolt ne Gjermani, Boku ne Vjene, si dhe ne disa nga Universitetet me te mira Italiane, Franceze”.
Krifca komunikoi se synimi i përbashkët me Qeverinë Gjermane që financon këtë iniciativë nëpërmjet GIZ, është krijimi i një grupi ekspertësh për të mbështetur politikëbërjen dhe negociatat për anëtarësim në BE, si dhe kërkime apo shërbime për prodhuesit dhe përpunuesit në sektorin e bujqësisë.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, u shpreh se UBT ka bërë një progres të konsiderueshëm… “Sfida mbetet që këto të përkthehen në programe konkrete dhe për këtë duhet të punojmë të gjithë së bashku”. Kushi shtoi se UBT do të ketë një nga kampuset më moderne me miliona euro investim dhe sfida është që ky universitet të jetë zgjedhje e parë edhe për studentë të huaj nga rajoni apo Europa.
Në takim, Kryeministri Rama tha se rinisja e doktoraturave që kanë vulën e universiteteve më të mira në Gjermani apo BE, duhet të vazhdojë. “Kjo është rruga ku duhet të ecim për të gjithë doktoraturat. Ne duhet te kemi doktoratura lokale. Duhet të kemi sistem universitar të ndërkombëtarizuar, të ndërthurur me programet e BE-së me universitetet europiane. Më vjen mirë që kjo ndodh në këtë universitët, që bën cmos të rrezatojë në sistemin universitar dhe që është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ky sektor është sektori i së ardhmes”, theksoi Kryeministri Rama.
Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, tha se ky program është parë si një hap thelbësor për investimin në të ardhmen. Ambasadori u shpreh se programi do të krijojë një ekip ekspertësh dhe politikëbërësisht që do të ndihmojnë të çojnë vendin para.
Studentët do të mund të aplikojnë në programet e doktoraturave në: Shkenca Bujqësore, Ekonomi dhe Agrobiznes, Mjedis dhe Bioteknologji Ushqimore dhe Shkenca Veterinare. Ndërsa disa prej universiteteve pjesë e këtij program janë: Universiteti Giessen (Gjermani), Instituti IAMO (Gjermani), Universiteti Karlsruhe (Gjermani), Universiteti BOKU (Austri) etj.
Të rinjtë e interesuar që plotësojnë kriteret për këtë program mund të marrin informacion pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës ose përmes emailit: dr.prog.aplikim@ubt.edu.al. Aplikimet duhet të dorëzohen pranë zyrës së Projekteve në Universitetin Bujqësor të Tiranës deri më 22 Shkurt 2022.

[metaslider id=20841]{:}