Ministry of Agriculture and Rural Development

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z. Niko Peleshi nënshkroi në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, “Marrëveshjen e Bashkëpunimit” për të lehtësuar kredimarrjen e gjithë aplikuesve, që do të dalin fitues nga programi IPARD II, i cili pritet të çelë “Thirrjen e parë” në fillim të vjeshtës dhe që do të nënshkruajnë kontratë me AZHBR-në.
Për ministrin Peleshi, programi IPARD II, është sfida më e madhe që i parashtrohet bujqësisë shqiptare, dhe vështirësia qëndron në përthithjen e fondeve të këtij programi, gjë që kërkon kapacitete njerëzore dhe mjete financimi.
Në anë të kësaj “Marrëveshje Bashkëpunimi”, e cila erdhi si përgjigje e ftesës së Ministrisë së Bujqësisë, drejtuar sistemit bankar dhe më gjerë, shumë shpejt disa banka të nivelit të dytë, si Intesa Sanpaolo Bank Albania, Société Générale, Procredit, në bashkëpunim me disa institucione financiare mikro-kredie, si FED –invest, NOA, AK-Invest, Fondi Besa do t’ u vijnë në ndihmë sektorit, duke mbështetur një pjesë të riskut, duke i bërë ato më “dorëlëshuara”, në dhënien e kredisë fermerëve apo agropërpunuesve.
“Ajo që ne po bëjmë sot, në fakt është një lajm shumë i mirë për të gjitë të interesuarit potencialë të skemës së IPARD-it, sepse me 5 institucione financiare të kreditidimit dhe me tri banka pjesë e programit tonë të “Fondit të Garancisë”, po firmosim një marrëveshje, sipas së cilës të gjithë fituesit e IPARD-it, do të kenë mundësi të aksesojnë burimet e financimit me kredi, pranë këtyre institucioneve në një kohë më të shpejtë, me kushte gjithnjë e më të mira…”
Për më shumë, kjo marrëveshje synon që këto institucione të angazhohen, për t’i dhënë kredi fituesve të AZHBR-së. Kontrata e fituesit me AZHBR-në do të shërbejë si një kolateral, për marrjen e këtyre kredive me kushte lehtësuese.
“…të gjithë të interesuarit e IPARD-it, të cilët akoma e kanë të pazgjidhur financimin e pjesës tjetër të projekt-idesë të tyre, pra rreth të 50%, që iu duhet ta financojnë nga burimet e veta, ne u japim tani mundësinë e financimit me kreditim, nga këto tetë institucione financimi dhe banka, të cilat angazhohen në një farë mënyre, mbase nxitohem ta them, e pranojnë si një kolateral shumë të fortë, marrëveshjen e subjektit me Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural për fitimin e një granti.”
Kjo marrëveshje do të nxisë zhvillimin e financimeve të qëndrueshme në sektorin e agrobiznesit duke ofruar në vazhdimësi linja të kreditimit të biznesit me norma të favorshme.{:}