Ministry of Agriculture and Rural Development

 

Hapet në Përmet inkubatori i parë i produkteve tipike shqiptare. Një hapësirë e përbashkët për fermerët e zonës së Përmetit për të prodhuar produktet tipike me metoda tradicionale dhe çertifikuar ato me kërkesat e tregut dhe sigurisë ushqimore duke i garantuar aksesin në treg edhe fermerëve të vegjël.

Ky inkubator me dy linja prodhimi, një për raki të ndryshme tradicionale të zonës dhe tjetra për tharje, prerje dhe paketim fruta – perimeve, është një investim i mbështetur në 70% të vlerës nga skemat kombëtare të mbështetjes në bujqësi për vitin 2018 si dhe pjesa tjetër nga një donacion të Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim.

“Janë të njohur sot në treg, glikotë e Përmetit, rakitë e Përmetit, të llojeve të ndryshme, gatime të njohura që sot janë të njohura, por jo kushdo mund t’i gjejë kollaj sot në treg. Pse nuk i gjen dot kollaj në treg? E para sepse shumë prej këtyre prodhimeve janë informale, janë të pastandardizuara. Janë të shkëlqyera, shumë të shijshme, por nuk e provojnë dot para AKU-së që janë të tilla. Sepse nuk kanë fletën e analizave, nuk dëshmojnë dot që respektojnë standardet higjeno-sanitare, dhe për këtë arsye nuk dalin dot lirshëm në treg dhe ndaj në ngurojmë të rritin sasinë e prodhuar. Ky inkubator bën pikërisht këtë gjë, pra adreson pikërisht këtë problematikë. Jep mundësinë jo vetëm prodhuesve të konsoliduar, që sot kanë një etiketë, janë të regjistruar, por edhe atyre që janë artizanalë, fermerë artizanalë, apo amvisa artizanale, që nuk e kanë dot as hapësirën, as pajisjet, as mundësinë të arrijnë ato standarde që legjislacioni ynë për sigurinë ushqimorë kërkon. Atëherë zgjidhja është pikërisht ky inkubator. Mund të vijnë këtu, mund të përdorin pajisjet e këtij inkubatori dhe ta marrin prodhimin të paketuar, të etiketuar, të çertifikuar si ushqim dhe ta shesin lirshëm në treg. Në këtë mënyrë edhe sasia për të prodhuar rritet, edhe mundësia për ta marketuar siç duhet rritet.” Ka thënë ministri.

Ministri është shprehur se ky model do të përhapet në gjithë Shqipërinë.

“Do ta shtrijmë në gjithë Shqipërinë në mënyrë që prodhimet tipike që dalin nga këto inkubatorë t’i japim dhe kanalin e tregut.”

Gjatë kësaj ceremonie ishin të pranishëm, Drejtori i Zyrës Rajonale të Tiranës të Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim, z. Nino Merola, ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, Drejtoresha e AZHBR Frida Krifca, deputetë, përfaqësues të ndryshëm të pushtetit vendor etj.{:}