Ministry of Agriculture and Rural Development

Pandemia nuk ndal eksportet e fruta-perimeve nga Shqipëria, Çuçi viziton pikat e grumbullimit në Lushnje: Vetëm për nëntë mujorin e këtij viti kemi rritje me 18% në sasi dhe 17% në vlerë

 

Pavarësisht pandemisë së Covid 19 eksportet e produkteve bujqësore shqiptare dhe sidomos fruta-perimeve vijojnë të kenë rritje dyshifrore. Referuar të dhënave zyrtare gjatë 9 mujorit të këtij viti, eksporti i fruta-perimeve është me 18% në sasi dhe 17% në vlerë. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, vizitoi në Lushnje dy nga pikat e grumbullimit që eksportojnë produkte bujqësore në disa shtete europiane.

“Është një ditë e zakonshme, por është plot me produkte bujqësore që presin të shkojnë për eksport. Jam shumë i kënaqur si Ministër i Bujqësisë që eksportet, sidomos të fruta-perimeve, kanë pësuar një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2020. Vetëm për nëntë mujorin e këtij viti eksporti i fruta-perimeve është rritur me 18% në sasi dhe dhe 17% në vlerë. Kjo është një shifër e konsiderueshme duke marrë parasysh që jemi në një vit me kufizime për shkak të pandemisë”, tha Çuçi.

Ministri ka folur edhe për lehtësimin nga barra fiskale të naftës që përdoret në bujqësi duke filluar nga viti i ardhshëm.

“Në vitin 2021 me buxhetin e ri të shtetit ne kemi planifikuar 10 milionë dollarë për t’iu dhënë fermerëve naftë pa taksa. Nëse sot fermerët e marrin naftën me 160 lekë litri, do ta marrin me 80 lekë/litri”, tha ministri Çuçi.

Produktet bujqësore më të eksportuara gjatë këtij 9 mujori nga Shqipëria drejt vendeve të Europës janë pjepër e shalqi, domate, kastraveca, speca dhe zarzavate të tjera. Për investimet në pikat e grumbullimit nga viti 2013 e deri më sot janë 123 përfitues të fondeve qeveritare apo europiane me një shumë totale 20.8 milionë euro.{:}