Ministry of Agriculture and Rural Development

Nisi sot skema e naftës falas/ Fermeri Kujtim Lamthi nga Gruemira e Malësisë së Madhe, aplikuesi i parë në e-Albania

Kujtim Lamthi, nga Gruemira e Malësisë së Madhe në veri të vendit, është fermeri i parë që ka aplikuar sot në portalin e-Albania për të përfituar naftë falas për bujqësinë.

46-vjeçari Lamthi i kontaktuar nga ATSH u shpreh se “kam qenë i informuar për skemën mbështetëse të qeverisë, naftë falas për bujqësinë dhe aplikova që në orën 07:25 të mëngjesit të sotëm, kur u çel thirrja për aplikimet në këtë skemë”.

Ai tregon se aplikimi ishte i thjeshtë dhe sistemi ishte lehtësisht i aksesueshëm.

“Unë hyra në sistemin e-Albania dhe plotësova lehtësisht formularin me të dhënat e mia, si numrin e NIPTI-t, certifikatën e pronësisë për tokën të skanuar, sipërfaqen e tokës dhe llojin e aktivitetit bujqësor me të cilin merrem, që është kultivimi dhe prodhimi i bimëve aromatike bujqësore (BIA)”, u shpreh Lamthi.

Sipas tij, nafta me çmim të përgjysmuar për bujqësinë është një ndihmesë e madhe për fermerët dhe vetë sektorin, pasi duke ulur kostot, kanë mundësi të rrisin prodhimin dhe të ardhurat.

“Unë kam një traktor dhe për herë të parë do të marr naftë me çmim të reduktuar për punët në bujqësi dhe kjo do të më nxisë mua ta punoj tokën ashtu siç duhet, 2 deri në 3 herë në sezon, duke mos u sforcuar për llogaritjet e shpenzimeve të larta, që kishte më parë çmimi i naftës”, tha Lamthi

Ai tregoi për ATSH-në se sot aplikoi për 2 ha tokë të mbjellë me bimë aromatike mjekësore dhe përfitoi 90 litra naftë me çmim të përgjysmuar, 80 lekë/litër, nga 180 lekë /litër që e merrte deri dje, për të punuar tokën.

Lamthi u shpreh se strukturat përkatëse të bujqësisë do ta pajisin atë me kartën përkatëse që ka sasinë e naftës që e përfiton falas, të cilën ai mund ta marrë në çdo pikë karburanti.

Kjo, sipas tij, është një tjetër gjë pozitive, pasi “nuk e kushtëzon procesin e furnizimit me naftë nga pikat e karburantit”.

Ndërsa eksperiencën e sukseshme të aplikimit në e-Albania siç tha ai, “e kam provuar edhe më parë, për Skemën Kombëtare të mbështetjes në Bujqësi 2020, ku edhe jam përzgjedhur i pari në listën e përfituesve për subvencion nga AZHBR, për BAM”.

Lamthi tregon se merret prej 12 vitesh me kultivimin e bimëve aromatike bujqësore, si një nga aktivitetet më potenciale dhe fitimprurëse që ka Malësia e Madhe.

Ai prodhon rreth 8 tonë për ha bimë aromatike mjekësore të certifikuara sipas standardeve BIO dhe ka kontratë të rregullt me kampaninë e grumbullimit e cila eksporton BAM, në tregun amerikan dhe vendet e Europës.

Të gjithë fermerët me NIPT, nisin nga sot më 15 janar deri më 25 shkurt 2021, aplikimin në portalin e-Albania për të përfituar naftë falas në bujqësi, pa akcizë, pa taksë qarkullimi dhe karbon, sipas strukturës së mbjelles që kanë dhe mekanizimit që bëjnë në sipërfaqen e mbjellë me një kulturë të caktuar bujqësore.
100% të sasisë së naftës, me çmim 800 lekë më pak për litër, e përfitojnë individët e shoqatat e bashkëpunimit bujqësor, që kryejnë aktivitet bujqësor dhe kanë në pronësi ose përdorim, tokë bujqësore mbi 0.4 hektarë dhe parcelë më të madhe se 0.1 hektarë.

Për vitin e parë, në total ky program do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 10 milionë dollarë.

{:}