Ministry of Agriculture and Rural Development

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia për Zhvillim Bujqësor e Rural, kanë nisur një fushatë komunikimi dhe informimi mbi fondet e Thirrjes IV të programit IPARD II, mënyrën e aplikimit dhe mundësitë e përfitimit, që do të vijojë të bëhet edhe në bashkëbisedime të drejtpërdrejta në terren, me të interesuarit, në 12 qarqet e vendit. Takimi më i rëndësishëm i këtij cikli takimesh, u mbajt sot në qarkun e Tiranës, në zonën e Mulletit, në një nga subjektet e sapo ngritura me fondet e programit IPARD.
Ishin të pranishëm Kryeministri, Edi Rama, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, Kryetari i Dhomës Kombëtare të Zejtarisë, Luan Bregasi, drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, përfaqësues të subjekteve përfituese nga programi IPARD etj.
Thirrja IV e programit IPARD II, me fokus zhvillimin e turizmit rural dhe industrisë së artizanatit dhe manifakturës, financuar nga Qeveria Shqiptare dhe Bashkimi Europian, u hap më 10 janar, për të vazhduar deri në datën 25 shkurt 2022.
Në fjalën e saj të rastit, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, theksoi se vizioni i qeverisë është krejt i qartë: ndërtimi dhe zhvillimi i turizmit rural! “Sot jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se turizmi rural është kthyer në një nga lokomotivat e rritjes së mirëqenies ekonomike në zonat e thella rurale. Synimi i kësaj pune ishte pa dyshim për të promovuar produktet agro bujqësore por mbi të gjitha, rritja e drejtpërdrejtë e të ardhurave të familjeve fermere, krijimi i vendeve të reja të punës për të rinjtë në këto zona dhe shtimi i veprimtarive ekonomike në hapësirat rurale shqiptare”, u shpreh Krifca.. Në fund të fjalës së saj ministrja Krifca shprehur rëndësinë e afrimit edhe më shumë me objektivat e politikës së përbashkët bujqësore të Bashkimit Europian, apo dhe me marrëveshjen Green Deal, e cila konsideron të ardhurat e qendrueshme të zonave rurale si një prioritet madhor i viteve të ardhshme.
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij theksoi se “Ne kemi bërë jo pak, besoj pasi e filluam këtë punë në një terren krejtësisht të djerrë duke çelur shtegun për investime në agroturizëm, me bindjen e plotë se Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm në këtë drejtim dhe se agroturizmi është përgjigja për shumë familje të cilat jetojnë në fshat dhe e kanë larg tregun, ndërkohë që nuk i kanë aty ku jetojnë mundësitë qoftë gjeografike, qoftë klimatike, qoftë edhe financiare për të zhvilluar bujqësinë intensive”. Rama shtoi se “eksperiencat e krijuara në këtë fushë, që tanimë janë të konsiderueshme në raport me nga u nisëm, flasin vetë për favorin e madh që agroturizmi u jep atyre që angazhohen me të”.
Sipas Kryeministrit, është sot fare e lehtë që të gjitha fjalët dhe të gjitha premisat teorike të mund të verifikohen duke i parë nga afër zhvillimet që kanë ndodhur, në pika të ndryshme të vendit ku përndryshe ato familje nuk do kishin asnjë shans që të ndërtonin një ekonomi të qëndrueshme familjare dhe do të ishin të detyruar të largoheshin, por ku faktikisht ato familje kanë krijuar një ekonomi shumë herë më të fortë se sa çdo lloj ekonomie që do të krijonin duke ikur nga vendi i tyre, qoftë duke ardhur në Tiranë, qoftë duke shkuar edhe në Gjermani.
I ftuar në këtë event, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, inkurajoi të gjithë fermerët, agrobizneset dhe kompanitë bujqësore që të shfrytëzojnë mundësitë e hapura me fondet IPARD. “Sektori agroushqimor kontribuon me 20% të PBB-së së Shqipërisë. Synimi ynë është të ndihmojmë për zhvillimin e një sektori të qëndrueshëm agroushqimor që prodhon ushqime cilësore dhe të sigurta, të cilat plotësojnë standardet evropiane, respektojnë mjedisin, por edhe promovojnë traditat rurale dhe trashëgiminë kulturore shqiptare, duke përmirësuar atraktivitetin e turizmit rural. Mbi 400 fermerë dhe agrobiznese po përfitojnë tashmë nga fondet e BE-së në kuadrin e tri thirrjeve të para IPARD. Në dekadën e fundit, Bashkimi Evropian ka vënë në dispozicion 100 milionë euro për të mbështetur modernizimin e bujqësisë shqiptare, duke përfshirë 71 milionë euro vetëm për IPARD-in. Kjo e bën BE-në mbështetësen më të madhe të sektorëve të bujqësisë dhe ushqimit në Shqipëri”.
Fondi i vënë në dispozicion në Thirrjen IV të programit IPARD II, do të arrijë në 5.2 milionë euro.Të gjithë aplikantët potencialë, fizikë dhe juridikë, puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda territorit të vendit, janë ftuar të nisin aplikimet me projektet e tyre të biznesit dhe plotësimin e dokumentacionit përkatës, deri më 25 shkurt.

[metaslider id=20754]
{:}