Ministry of Agriculture and Rural Development

Sektori i bujqësisë do të ketë më shumë mundësi dhe buxhet financimi. Bashkimi Europian ka rritur angazhimin ndaj bujqësisë shqiptare duke miratuar në Bruksel buxhetin për Programin IPARD 3. Një buxhet që shkon në 112 milionë Euro. 56% më shumë se buxheti i vënë në dispozicon në Programin IPARD II. Së bashku me financimin e Qeverisë Shqiptare prej 34 milionë Euro, e çon këtë program në një total prej 146 milion Euro mbështetje për bujqësinë dhe zhvillimin e zonave rurale në Shqipëri.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca tha se në Programin IPARD III po ecet drejt akreditimit për 9 masa financimi duke e zhvilluar më tej këtë program në përputhje me objektivat e qeverisë për zhvillimin e një bujqësie të qendrueshme dhe të përafruar me politikat e Bashkimit Europian duke e bërë kështu Shqipërinë ndër pak vende në rajon që adoptojnë 9 masa financimi për këtë program.

Buxheti prej 146 milion Euro i IPARD III përpos katër masave ekzistuese të investimeve në fermë, agropërpunim, diversifikim të fermës dhe asistencë teknike do të financojë dhe 5 masa të reja të cilat ndihmojnë Shqipërinë të përmbushë angazhimin e marrë në deklaratën e Sofjes për Axhëndën e Gjelbër në Ballkanin Perëndimor.

Krifca u shpreh se këto masa ndihmojnë që bujqësia, blegtoria, peshkimi, akuakultura dhe zhvillimi rural të mund të zhvillohen në një mënyrë të qendrueshme duke respektuar natyrën nëpërmjet integrimit të masave agromjedisore, mbrojtjes së pyjeve dhe ruajtjes së mjedisit, zhvillimit të bujqësisë organike.

Për herë të parë përmes IPARD do të mund të zbatohet qasja Leader, një program që ka transformuar zhvillimin rural në vendet e Bashkimit Europian.

{:}