Ministry of Agriculture and Rural Development

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u shpreh sot se në takimin që zhvilloi në Bruksel, me komisionerin e Bashkimit Evropian, Janusz Wojciechowski, u vlerësua ecuria pozitive në drejtim të forcimit të kapaciteteve institucionale për përafrimin me kuadrin rregullator sipas standardeve të BE-së.

“Zhvillova takimin tim të parë zyrtar si ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me komisionerin Janusz Wojciechowski, ku i shpreha mirënjohjen ndaj Komisionit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme të dhënë për Shqipërinë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Denaj.

Ministrja Denaj shprehu falënderim të thellë për punën e vyer të komisionit në drejtim të forcimit të kapaciteteve institucionale për përafrimin me “acquis communitaire” (kuadrin rregullator dhe standartet e BE-së) në mbështetje të zhvillimit rural, sigurisë ushqimore dhe peshkimit, sektorë që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe përafrim të plotë me politikën e përbashkët bujqësore evropiane përmes fondeve IPA dhe IPARD.

Zbatimi i politikave të integrimit evropian dhe programeve të zhvillimit bujqësor e rural ka sjellë një tjetër hov zhvillimi në bujqësinë shqiptare për arritjen e standardeve evropiane në mbështetje të fermerëve, agropërpunimit, përmirësimin e konkurrencës, ndërsa vijon mbështetja e investimeve në zonat rurale për diversifikimin e ekonomisë rurale, duke çuar në zgjerimin e punësimit dhe përfshirjes sociale.

Denaj i shprehu komisionerit angazhimin maksimal për të vijuar bashkëpunimin me të gjithë strukturat përgjegjëse për garantimin e një procesi të suksesshëm dhe marrjen e masave për përmirësimet e nevojshme, si një garanci për integrimin e Shqipërisë.{:}